Ministri i Transformimit Dixhital, Stefan Andonovski njoftoi zyrtarisht se aplikacioni i ri celular m.Uslugi do të promovohet në tetor.

“Mund të njoftoj zyrtarisht se në tetor do të organizojmë një ngjarje në të cilën do të promovojmë aplikacionin celular “m.Uslugi”. Ai do të ketë në dispozicion versione elektronike të kartës së identitetit dhe patentës së shoferit, si dhe dy shërbime elektronike për qytetarët”, vuri në dukje Andonovski.

Përmes m.Uslugi, qytetarët do të kenë mundësi të qasen në dokumente personale në formë dixhitale, si dhe në shërbimet elektronike të administratës në një vend. Qëllimi është që shërbimet shtetërore të bëhen më të arritshme dhe më të lehta për t’u përdorur, direkt përmes telefonit celular.

Ministri theksoi se në periudhën e kaluar është bërë punë intensive në çështjet që lidhen me sigurinë kibernetike, mbrojtjen dhe mënyrën e ruajtjes së të dhënave personale, si dhe shkëmbimin e tyre me Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila zotëron të dhënat.

“Jemi në fazën përfundimtare të harmonizimit dhe nënshkrimit të protokollit të shkëmbimit të të dhënave, si dhe testimit të aplikacionit. Duam të jemi të sigurt që sistemi është i qëndrueshëm, i sigurt dhe i lehtë për t’u përdorur përpara se të jetë i disponueshëm për të gjithë.

Aplikacioni do të jetë i disponueshëm në App Store dhe Google Play, dhe versioni i tij i testimit është shkarkuar nga rreth 6.000 qytetarë deri më tani”, tha Andonovski.