Anëtaret e Odës së Stomatologëve kërkojnë dorëheqjen e kryetarit Marjan Denkovski. Sipas tyre në odë mbretëron totalitarizmi dhe arbitrariteti i plotë, persekutohen anëtarët dhe delegatët, vendosen gjoba dhe dënime pa bazë ligjore, paraqiten raporte financiare në mënyrë jo reale, eliminohen shoqata të caktuara dhe favorizohen të tjera.
“Ne besojmë se ka institucione në vend që do t’i pengojnë një arbitrariteti të tillë në oden stomatologjike dhe do ta rikthejnë dinjitetin e mjekëve të mjekësisë dentare. Kërkojmë menjëherë që Ministri i Shëndetësisë të veprojë sipas kompetencave të tij ligjore dhe t’i japë fund kësaj udhëheqjeje”, Amella Cana, anëtare e Odës.

Anëtarët u ankuan edhe se kundër tyre po zhvillohen procedura të pabaza nga Gjykata e Nderit.

“Shqiptimi i masave që nga Gjykata e Nderit është shumë e rënd, edhe vërejtjet janë të rënda, por atyre u është marrë e drejta të marrin pjesë në zgjedhje, e drejta për të votuar u është marrë, e zakonisht zgjidhen më së shpeshti ata kolegë që për Marjan Denkovskin janë konkurrent”, tha Millan Kamçev, anëtar i Odës.

E kryetari i Odës, Denkovski u shpreh i befasuar nga reagimet dhe ankesat e anëtarëve. Ai foli për njërën nga procedurat e cila zhvillohet për Amella Cana, ish drejtoreshën e Klinikës së Stomatologjisë.
“Një procedurë që është ngritur për kolegen, e cila ka qenë drejtoreshë e Qendrës Klinike, mendoj se është kuadër i BDI-së… dhe është dashur ta dijë se vulë në emër të bordit rajonal dhe nënshkrim vendoset pas mbledhjes së mbajtur nga bordi rajonal dhe pas pëlqimit të shumicës nga bordi rajonal. Të gjithë punët që ndodhin në Odë patjetër të lëvizin në kuadër të ligjit”, u shpreh Marjan Denkovski, kryetar i Odës së Stomatologëve.

Anëtarët e Odës thonë se kjo golgotë po zgjat tashmë pesë vite, apo që kur e ka marrë mandatin e parë kryetari Denkovski. Ndërsa Denkovski u shpreh se nuk do të lejojë që ndonjë anëtar të bëj punë kokë më vete.