Përmes programit “Punë me dobi për komunën”, që është pjesë e Planit operativ për programe dhe masa aktive për punësim, 300 persona të papunë do të kenë mundësi për angazhim pune për një periudhë prej 18 muajsh, me kompensim mujor bruto prej 28.000 denarësh, duke përfshirë sigurimin dhe tatimin. Ata do të ofrojnë shërbime sociale dhe shëndetësore në nivel lokal, përcjell TV21. Ministria e Ekonomisë dhe Punës ka shpallur thirrje për këtë qëllim, në të cilën deri më 8 gusht të këtij viti mund të aplikojnë njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe Qyteti i Shkupit.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durishi, theksoi se qëllimi është të zhvillohen dhe të përmirësohen shërbimet sociale dhe shëndetësore në përputhje me nevojat dhe prioritetet lokale.

Masa nuk është për mbështetje të punëve komunale publike, por për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për kategoritë e cenueshme të qytetarëve, si: persona të moshuar, persona me dëmtim të shikimit, dëgjimit, aftësi të kufizuara trupore, intelektuale, fëmijë dhe persona të pambrojtur financiarisht dhe grupe të tjera të cenueshme.