Gazetar: Zekirija Haxhiu

Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit në mbledhjen e ardhshme do të shqyrtojë mundësinë për të hapur lëndë lidhur me tenderin e dyshimtë të Burgut të Idrizovës. Ky institucion ka paguar shuma më të larta të produkteve ushqimore krahasuar me çmimet reale në treg. Ushqimet që në janar të këtij viti ishin blerë për të burgosurit në Idrizovë, për një vit kanë kapur vlerën prej 1,25 milion eurove.

“Ju njoftojmë se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, në mbledhjen e ardhshme do të diskutojë lidhur me indikacionet nga kronika juaj dhe do ta shqyrtojë dokumentin e dorëzuar nga ana juaj. Antikorrupsioni në mbledhje do të vendos nëse do të formojë lëndë në kuadër të kompetencave të saj ligjore, thonë nga Antikorrupsioni.

Siç informoi paraprakisht Alsat, bazuar në dokumentacionin e tenderit për furnizim me ushqim për të burgosurit në burgun e Idrizovës, drejtori Zoran Jovanovski ka pranuar që të paguajë 138 denarë një litër vaj e 78 denarë për një kilogram sheqer. Për peshk Osliq ka paguar 276 denarë ndërsa brumëra madje 124 denarë. Alsat kontaktoi drejtorin Jovanovski dy herë brenda dhjetë ditëve por refuzoi të përgjigjet mbi atë se pse nuk ka kërkuar dhe oferta të tjera për t’u furnizuar me ushqim. Na porositi që pyetja t’i dërgohet përmes një dokumenti zyrtar të vulosur nga televizioni. /Alsat.mk

The post Antikorrupsioni në mbledhje do të vendosë për lëndë kundër burgut të Idrizovës appeared first on Alsat.