Gazetar: Zekirija Haxhiu

Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit, njëzëri zgjodhi Cveta Ristovskën për zëvendës kryetare të komisionit. Antikorrupsioni ngeli pa kryetar pasi Tatjana Dimitrovska dha dorëheqje. Cveta Ristovska e cila udhëhoqi lëndën për drejtorin e ASK-së, Bojan Hristovskin, do ta marrë detyrën më 21 gusht, kur zv.kryetares aktuale Biljana Karakasheva Shulev i përfundon mandati.

Sipas rregullave të Antikorrupsionit, funksioni i zv.kryetarit ndryshon në çdo gjashtë muaj sipas alfabetit të anëtarëve, por me shumicë votash.

“Konstatoj se anëtarja e KSHPK, Cveta Ristovska njëzëri është zgjedhur për zv.kryetare e KSHPK në mandat prej gjashtë muajve me çka vendimi për zgjedhjen e saj do të hyjë në fuqi më 21.08.2025”, tha Biljana Karakasheva Shulev.

Ditë më parë Kuvendi filloi procedurën për zgjedhjen e kryetarit të ri të Antikorrupsionit, me çka formoi komision për selektim i cili do të ketë për detyrë të shqyrtojë aplikimet e të gjithë kandidatëve. Komisioni përbëhet nga shtatë anëtarë mes të cilëve zv.avokati i popullit, dy nga shoqëria civile dhe katër deputetë.

Pas presionit publik, Dimitrovksa dha dorëheqje më 25 korrik, pasi Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar ngriti aktakuzë për dy vepra penale edhe atë për dhënien e sekreteve zyrtare ish-drejtorit të TEC Negotinë, Nebojsha Stojanoviq, i akuzuar në “Aditivë”, dhe për falsifikim kompjuterik sepse auditori nga Enti Shtetëror për Revizion, në emrin e saj ka kaluar testin e certifikatës së sigurisë. / Alsat.mk

The post Antikorrupsioni zgjodhi zv.kryetaren e re Cveta Ristovskën appeared first on Alsat.