Gazetar: Zekirija Haxhiu
Sistemi për pagesën online të gjobave të shqiptuara nga kundërvajtjet e kapura në “Safe City” funksionon për shtetasit e huaj por jo edhe për shtetasit e Maqedonisë me leje qëndrimi në vende të huaja, e të cilët posedojnë vetura me targa të huaja. Nëse hyni në aplikacion, mes të dhënave personale që kërkohen, është edhe skenimi i pasaportës. Megjithatë, shtetasit e Maqedonisë të cilët janë me leje qëndrimi në shtete të huaja por nuk kanë pasaportë, nuk mund të regjistrohen në aplikacion me letërnjoftim. Kështu, të njëjtit nuk kanë mundësi që të kenë qasje në aplikacion dhe të paguajnë gjobat eventuale përmes celularit.
Për këtë, nga Ministria e Punëve të Brendshme për Alsat njoftuan se në periudhën që vjen, do të bëhet zgjerim i funksioneve por edhe kategorive të qytetarëve që mund ta shfrytëzojnë aplikacionin.
“Aplikacioni celular për ndjekje dhe pagesë elektronike të shkeljeve në komunikacion, është dedikuar vetëm për shtetasit e huaj. Në periudhën që vjen, parashihet përditësim shtesë i funksioneve dhe zgjerim i kategorive të përdoruesve”, thonë nga MPB.
Nga MPB njoftojnë se në Tabanoc gjendja është normalizuar tërësisht pasi procedura për pagesën e gjobave nuk zgjatë më tepër se 5 minuta. Si arsye, nga MPB shprehen se është vendosja në përdorim e aplikacionit për pagesë. Megjithatë, ajo që është vërejtur ditëve të fundit veçanërisht pas 19 gushtit, është se shtetasit serbë në numër të madh janë duke e shmangur Tabanocin dhe kalojnë përmes vendkalimit kufitar “Pelincë – Prohor Pçinski”. Kjo pasi në këtë vendkalim nuk është vendosur ende sistem i pagesës së gjobave.
“Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon me implementimin e sistemit, me qëllim që zbatimi gradualisht të zgjerohet edhe në vendkalimet tjera kufitare të shtetit”, sqarojnë më tej nga MPB.
Nga fillimi i sistemit “Safe City” e deri më 20 gusht, ky sistem ka arritur të evidentojë gjithsej 310,865 shkelje, prej të cilave 301,835 për ngasje të shpejtë. Madje 58% e këtyre shkeljeve janë bërë nga shtetas të huaj, përkatësisht nga vetura me targa të huaja./Alsat.mk
The post Aplikacioni për pagesë të gjobave “nuk njeh” shtetasit e Maqedonisë !? appeared first on Alsat.
