Arabia Saudite ka paralajmëruar se rezervon “të drejtën e plotë” për t’iu përgjigjur agresionit iranian, pas një serie sulmesh me dronë që synuan kryeqytetin Riad dhe Provincën Lindore.

Paralajmërimi u bë gjatë një seance të kabinetit të kryesuar nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, sipas Agjencisë Saudite të Shtypit (SPA).

Kabineti saudit dënoi sulmet si “të hapura dhe frikacake” dhe riafirmoi solidaritetin me vendet vëllazërore të rajonit.

Një dron goditi kompleksin e Ambasadës Amerikane në Riad, duke shkaktuar zjarr të kufizuar dhe dëme materiale të vogla, ndërsa forcat saudite shkatërruan tetë dronë të tjerë që synonin qytetet Riad dhe Al-Kharj.

Ministria e Jashtme e cilësoi sulmin ndaj ambasadës si shkelje flagrante të Konventës së Gjenevës dhe Konventës së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike.

SHBA, dhe vendet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit ( Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Kuwaiti, Bahreini, Katar, Omani) dhe Jordania e quajtën sulmet “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe riafirmuan të drejtën kolektive për vetëmbrojtje.

Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe India shprehën solidaritet me Arabinë Saudite, ndërsa Londra konfirmoi angazhimin e forcave të saj në veprime mbrojtëse për stabilitetin rajonal.