Skuadra e Milanit arriti një fitore të rëndësishme ndaj Leçes në “San Siro”, duke thyer rezistencën e fortë të skuadrës mysafire, e cila u mbajt në lojë për një kohë të gjatë falë një performance të jashtëzakonshme të portierit Falkone.

“Rossonerët” dominuan ndeshjen dhe më në fund siguruan tre pikë vendimtare për vazhdimësinë e sezonit falë fitores 1-0 me golin e Niklas Fullkrug.

Pas përfundimit të takimit, mesfushori shqiptar Ardon Jashari foli për “DAZN”, duke u ndalur si te rezultati, ashtu edhe te paraqitja e tij personale. Mesfushori u shpreh i kënaqur për besimin e trajnerit dhe mbi të gjitha për fitoren e ekipit.

 

“Le të vazhdojmë kështu. Jam i lumtur për Fullkrugun. Jam i kënaqur që e nisa ndeshjen si titullar, por gjëja më e rëndësishme janë tre pikët e ekipit”, u shpreh Jashari.

 

Ai komentoi edhe rolin e tij në fushë, duke theksuar fleksibilitetin dhe gatishmërinë për të zbatuar kërkesat taktike të trajnerit.

 

“Unë bëj atë që më kërkon trajneri. Është e rëndësishme që shokët e ekipit të kuptojnë karakteristikat e mia. Më kërkoi të luaja si numër gjashtë dhe ky është një mesazh që duhet të përçohet në të gjithë ekipin,” shtoi ai.

 

Jashari nuk i kurseu fjalët e mira as për bashkëpunimin me Luka Modriçin, i cili është një nga figurat kyçe të mesfushës së Milanit.

 

“Të luash me të është një dhuratë. Ai është një person i jashtëzakonshëm jashtë fushës dhe një lojtar i pabesueshëm. Po e shijoj çdo moment dhe shpresoj të luaj më shumë minuta përkrah tij”, tha mesfushori.

Pas kësaj fitoreje, Milani tashmë përqendrohet te sfida e radhës në “Olimpiko” kundër Romës, një test i madh për ambiciet e “kuqezinjve”.

The post Ardon Jashari: Të luash me Luka Modriçin, është një dhuratë appeared first on Alsat.