Rreth ngjarjeve të fundit politike në vend ka reaguar edhe anëtarja e Kuvendit Qendror të Partisë Demokratike Evropiane Arlinda Hamziç e cila në shkrimin e saj thekson se ngjarket e fundit në vend cënojnë qetsinë dhe bashkëjetesën.
Më poshtë ju sjellim tekstin integral të shkrur nga Arlinda Hamziç nga PDE:
Ngjarjet e fundit që cenojnë qetësinë dhe bashkëjetesën ndëretnike janë një thirrje për reflektim dhe veprim. Në momente si këto, duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të mos lejojmë që provokimet dhe padrejtësitë të na përçajnë apo të na dobësojnë. Uniteti ynë është arma më e fortë që kemi përballë çdo sfide.
I drejtohemi të gjithë përfaqësuesve shqiptarë në pushtet, jeni aty jo për interes personal, por për të mbrojtur kombin, gjuhën dhe të drejtat e shqiptarëve. Lufta e vitit 2001 dhe sakrificat e atyre që dhanë jetën për të ardhmen tonë nuk mund të shlyhen me kompromise që na ulin si komb. Gjaku i dëshmorëve është amanet dhe ky amanet kërkon vendosmëri, dinjitet dhe veprim të prerë kur cenohet kombi ynë.
Duan apo s’duan të tjerët, ne jemi në tokat tona dhe këtu do të mbetemi. Por ne nuk kërkojmë vetëm të qëndrojmë, kërkojmë të jetojmë me dinjitet në një shtet ku ligji është i barabartë për të gjithë, pa standarde të dyfishta dhe diskriminim. Një shtet ku asnjë prind të mos ketë frikë se si do t’i kthehen fëmijët në shtëpi dhe ku e ardhmja e brezave të rinj të ndërtohet mbi drejtësi dhe barazi. Koha e kompromisit që cenon dinjitetin kombëtar ka kaluar.
Parashtrohet pyetja: Ku po na çon kjo rrugë e padrejtësisë dhe përçarjes?
Përgjigjja është në duart tona – të luftojmë, jo me armë, por me dije, unitet dhe vendosmëri, për një të ardhme më të mirë për ne dhe për fëmijët tanë.