Gazetare: Fatlume Dervishi

Secila nga partitë politike e shikon ndryshe dorëzimin dhe arrestimin e Grubit. BDI-ja kërkon drejtësi joselektive, pa ndikime politike.

“Bashkimi Demokratik për Integrim e vlerëson pozitivisht vendimin e Artan Grubit për t’u kthyer në vend, duke krijuar kështu mundësinë që përmes një procedure transparente, të drejtë dhe të paanshme… Presim që procesi të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta të sundimit të ligjit: para së gjithash, me një nivel të lartë transparence, në përputhje me interesin publik; por mbi të gjitha, me respektim të plotë të prezumimit të pafajësisë dhe me mbrojtje të të drejtave dhe lirive individuale”, thane nga BDI.

Sipas VLEN, Grubi do të përballet me drejtësinë kurse BDI-ja frikësohet nga çfarë informacionesh mund të dalin prej tij.

“Kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së më në fund është dorëzuar. Artan Grubi është pjesëmarrës dhe ekzekutor i të gjitha marrëveshjeve të errëta të BDI-së. Prandaj, BDI po dridhet nga frika se nuk e dinë se për çfarë është gati të flasë Artan Grubi. Pasi BDI humbi në mënyrë katastrofale në zgjedhjet lokale dhe të gjitha premtimet e rreme të Ahmetit për zgjedhje të parakohshme dhe hyrje të supozuar në qeveri dështuan, Artani nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përballet me mëkatet e veta. Por cilin do ta ngreh me vehte, mbetet për t’u pare”, thonë nga VLEN.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se më në fund drejtësia po vendoset në vend.

“Artan Grubi, i cili konsiderohet mishërimi i krimit dhe korrupsionit të udhëhequr nga LSD-ja dhe BDI-ja, më në fund do të përballet me drejtësinë. Si kujtesë për publikun, krimi i të arratisurit nga drejtësia, Grubi, arriti një vlerë prej të paktën 500 milionë denarësh ose mbi 8 milionë euro, dhe ka indikacione se kjo shumë mund të kalojë dhjetëra milionë euro, para të vjedhura nga qytetarët. Një krim shtesë i Grubit, së bashku me mikun e tij Bajrami… është pagesa e avanceve për bashkëpunëtorët e biznesit”, tha Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.

Nga LSDM-ja thonë se kthimi është bërë me marrëveshje nga VMRO-ja për të zhvendosur vëmendjen.

“Tashmë të gjithë e kemi të qartë se arratisja e Artan Grubit ishte marrëveshje politike. LSDM-ja këtë e paralajmëroi që në dhjetor të vitit 2024. Tani vëtëm u konfirmua para syve të opinionit; ashtu siç ishin marrë vesh ta lënë të ikë, ashtu janë marrë vesh që të kthehet. Në këtë mënyrë, VMRO-DPMNE-ja me mbështetjen e BDI-së dëshiron ta fshehë skandalin më të madh të drogës me 5 ton kanabis që çon direkt në krye të qeverisë së Mickoskit”, u shpreh Bogdanka Kuzeska, LSDM./ Alsat.mk

The post Arrestimi  Grubit – Ja reagimet e partive appeared first on Alsat.