Ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në Washington, Peter Mandelson, është arrestuar të hënën mbrëma, ku po dyshohet për keqpërdorim të detyrës, hetim që rrjedh nga lidhjet e tij me Jeffrey Epsteinin, raporton agjencia “AP”.
Policia e Londrës ka njoftuar se “është arrestuar një burrë 72-vjeçar nën dyshimin për keqpërdorim në detyrë publike” në një adresë në veri të Londrës. Ai është dërguar në një stacion policie për t’u marrë në pyetje”.
Njoftimi nuk e përmendi Mandelsonin me emër, në përputhje me praktikën e policisë britanike, por i dyshuari në këtë rast më parë është identifikuar si ish-diplomati, i cili është 72-vjeçar.
Policia po e heton Mandelsonin për pretendimet se ai i ka kaluar informacione të ndjeshme qeveritare Epsteinit një dekadë e gjysmë më parë. Ai nuk përballet me asnjë akuzë për sjellje seksuale të papërshtatshme.
Arrestimi i tij vjen katër ditë pasi ish-princi Andrew, u arrestua në një rast të veçantë nën dyshimin për një shkelje të ngjashme të lidhur me miqësinë e tij me Epsteinin. Andrew u lirua pas 11 orësh në paraburgim ndërsa hetimi policor vazhdon.
Mandelson u shkarkua nga posti i tij diplomatik në shtator pasi u publikuan emailet që tregonin se ai kishte mbajtur miqësi me Epstein edhe pas dënimit të financierit në vitin 2008 për vepra seksuale që përfshinin një të mitur. Kur më shumë detaje dolën në dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së muajin e kaluar, policia hapi një hetim penal.
Dosjet e Epsteinit sugjerojnë se Mandelson në vitin 2009, i kaloi informacione të ndjeshme dhe potencialisht që mund të ndikojnë, në kohën kur Mandelson ishte anëtar i qeverisë së atëhershme.
Policët të hënën kontrolluan dy shtëpitë e Mandelsonit në Londër dhe në perëndim të Anglisë.
Vendimi për ta emëruar Mandelson pothuajse i kushtoi me punë Keir Starmer, ndërsa u ngritën pyetje rreth gjykimit të tij.
Megjithëse ai ka pranuar se bëri një gabim dhe u ka kërkuar falje viktimave të Epsteinit, pozicioni i Starmer mbetet i pasigurt. E ardhmja e tij mund të varet nga publikimi i dosjeve të lidhura me emërimin e Mandelsonit.
The post Arrestohet ish-ambasadori i Britanisë në SHBA, Peter Mandelson appeared first on Alsat.
