Agjencia Amerikane e Hapesires NASA zbuloi të martën katër astronautët që do të marrin pjesë në misionin Artemis III, një tjetër hap i rëndësishëm në programin amerikan për rikthimin e njerëzve në Hënë. Astronautët Randy Bresnik, Luca Parmitano, Frank Rubio dhe Andre Douglas (Da – Glës) janë planifikuar të nisen në orbitën e Tokës vitin e ardhshëm për të testuar të paktën një nga modulet komerciale të uljes në Hënë, të cilat pritet të përdoren për dërgimin e astronautëve në sipërfaqen hënore në vitin 2028.
Bresnik do të shërbejë si komandant i misionit, ndërsa Parmitano, astronaut italian i Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA), do të jetë piloti. Douglas dhe Rubio do të kenë rolin e specialistëve të misionit. Astronauti i NASA-s Bob Hines do të stërvitet si anëtar rezervë i ekuipazhit.
Kompanitë SpaceX e Elon Musk dhe Blue Origin e Jeff Bezos po garojnë për zhvillimin e moduleve të uljes që do të testohen gjatë Artemis III. Të dyja kompanitë deklaruan të martën se presin që mjetet e tyre të jenë gati në kohë për misionin.
Misioni Artemis III qe do te zhvillohet ne fund te vitit 2027 pritet të zgjasë rreth dy javë, afërsisht katër ditë më shumë se Artemis II, i cili kreu një fluturim rreth Hënës më herët këtë vit. Ky mision konsiderohet testi përfundimtar i programit Artemis. Nëse rezulton i suksesshëm, NASA synon të realizojë uljen e radhës së astronautëve në Hënë me misionin Artemis IV.
Në afatgjatë, programi Artemis synon të krijojë një prani të përhershme njerëzore në Hënë. NASA ka njoftuar këtë vit plane për të investuar rreth 20 miliardë dollarë në ndërtimin e një baze në sipërfaqen hënore.
Fillimisht, Artemis III ishte planifikuar të realizonte uljen e astronautëve në Hënë. Megjithatë, administratori i NASA-s, Jared Isaacman, e riorganizoi programin këtë vit, duke shtuar misione të reja dhe duke rritur ritmin e lëshimeve para tentativës për ulje.
Nëse gjithçka zhvillohet sipas planit, Shtetet e Bashkuara mund të realizojnë uljen e parë në Hënë pas më shumë se 50 vitesh, përpara se Kina të dërgojë astronautët e saj në sipërfaqen hënore. Pekini ka deklaruar se synon ta arrijë këtë deri në vitin 2030.
Megjithatë, mbeten pikëpyetje mbi gatishmërinë e Blue Origin. Kompania pësoi së fundmi një goditje të rëndë kur një nga raketat e saj shpërtheu gjatë një testi të motorit në bazën hapësinore Cape Canaveral në Florida. Shpërthimi shkatërroi një raketë New Glenn, e cila do të përdorej për lëshimin e modulit hënor, si dhe dëmtoi rëndë platformën operative të nisjes së kompanisë.
