Strukturat e ASH-së brenda koalicionit VLEN, mbajtën mbledhjen e Kuvendit për themelim, ku në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet politike në vend, ndërsa u miratua koncepti “Aleanca e Re”, i cilësuar si hap strategjik për një strukturim më të fuqishëm dhe të unifikuar politik.
KONCEPTI “ALEANCA E RE”
Në frymën e riorganizimit dhe forcimit të brendshëm, u vendosën:
-Pezullimi i menjëhershëm i funksionimit të të gjitha organeve aktuale deri në një vendim të ri;
-Shpallja e një moratoriumi të përkohshëm në të gjitha aktivitetet partiake.
-Me shumicë votash, Kuvendi për themelim autorizoi kryetarin, z. Arben Fetai, që të zhvillojë negociatat e mëtejshme në kuadër të lidershipit të VLEN-it, me synim themelimin e VLEN-it si parti politike, në përputhje me vlerat dhe parimet e dakorduara deri më sot.
Por ajo që ra në sy është mungesa e dy figurave të ASH-së së VLEN-it në këtë mbledhje në krye të së cilës qëndronte vetëm Arben Fetai, aktualisht zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë. Munguan ministri i shëndetësisë Azir Aliu dhe deputetja Mimoza Musa. Kur u pyet për këtë, Aliu dha një përgjigje të përgjithshme.
“Të gjithë proceset politike në shtet janë në linjë me atë që kërkojnë qytetarët. Qytetarët kërkojnë të jemi sa më të bashkuar, të kemi një qëllim që të kemi të ardhme më të mirë për vendin. Në këtë këndvështrim edhe ne si VLEN punojmë që një ditë e më herët të jetë një strukturë e organizuar mirë dhe të mos kemi ndryshimet administrative në arritjen e qëllimeve tona”, tha Azir Aliu.
Aliu konfirmoi se deputeti Ilir Demiri tashmë është pjesë e nismës, për, siç e quajti, bashkimin e forcave, ndërsa konfirmoi po ashtu se janë në bisedime edhe me deputetë e tjerë që t’i bashkohen kësaj iniciative.
