Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka reaguar ndaj koalicionit VLEN lidhur me premtimin për krijimin e një banke me kapital shqiptar, duke akuzuar partnerin shqiptar të Qeverisë se, pas më shumë se dy vitesh, ky premtim ende nuk është realizuar. Nga ASH thonë se VLEN gjatë fushatës kishte premtuar bankë shqiptare, kapital shqiptar dhe fuqizim ekonomik të shqiptarëve, por, sipas tyre, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret drejt realizimit të këtij zotimi.

“Premtuan bankë shqiptare. Premtuan kapital shqiptar. Premtuan fuqizim ekonomik të shqiptarëve. Kaluan mbi dy vite dhe nga banka shqiptare as emri, as adresa, as themeli”, thuhet në reagimin e ASH-së. Nga kjo parti e vendosin këtë çështje përballë zhvillimeve të fundit në sektorin bankar, duke theksuar se Alta Banka nga Beogradi tashmë zotëron 95.23 për qind të Alta Banka në Manastir. Sipas ASH-së, ky është një kontrast mes premtimeve të VLEN-it për forcimin e kapitalit shqiptar dhe zhvillimeve reale në sistemin bankar të vendit.

“Ja bilanci i VLEN-it. Banka shqiptare mbeti në programin zgjedhor, ndërsa kapitali serb po forcon pozitat në sistemin bankar të vendit. Ku është banka që ua premtuat shqiptarëve? Ku janë kushtet që thatë se do t’i krijonit?”, pyesin nga Aleanca për Shqiptarët. ASH akuzon VLEN-in se po vazhdon me premtime, ndërkohë që, sipas saj, në sektorin bankar po ndodh e kundërta e asaj që ishte paralajmëruar para ardhjes në pushtet. “Dy vite pushtet. Zero bankë shqiptare. 95,23% Alta Banka Beograd. Ky është rezultati”, përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët.