Agjencia për Siguri Kombëtare, në bashkëpunim me MPB-në dhe Prokurorinë, zhvilloi hetimo ndaj një rrjeti propagandistik që, sipas Agjencisë, vepron në funksion të interesave ruse. Para dy javësh është bastisur shtëpia e një shtetasi të Maqedonisë së Veriut identiteti i të cilit nuk është bërë publik, ndërsa janë sekuestruar pajisje dhe materiale që po i nënshtrohen ekspertizës.

“Aktorët e vërtetë të këtij rrjeti propagandistik, i cili është në funksion të interesave ruse, fshihen përmes pseudo-portaleve të klonuara të regjistruara me domen maqedonas të internetit. Përmes këtyre pseudo-portaleve përhapen lajme të rreme, dezinformata dhe bëhet riformësimi i narrativave për ngjarjet aktuale, duke minuar besimin në institucione dhe duke nxitur urrejtje dhe intolerancë etnike dhe kombëtare”, tha ASK.

Agjencia paralajmëron se do të vazhdojë zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve propagandistike që minojnë proceset eurointegruese të vendit.

“Agjencia, në kuadër të kompetencave të saj, do të vazhdojë të ndërmarrë aktivitete për zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve subversive-propagandistike përmes një rrjeti portalesh të lidhura me struktura politike rajonale proruse, përmes të cilave drejtpërdrejt minohen proceset strategjike të integrimit evropian të vendit”, tha ASK.

Mediat në Maqedoninë e Veriut kanë raportuar më herët për rrjete mediatike dhe kanale komunikimi të dyshuara për ndikim të huaj, ndërsa ASK-ja ka hetuar raste që i lidh me aktivitete propagandistike dhe përhapje të përmbajtjeve që nxisin tensione ndëretnike. Tani, për herë të parë, ASK-ja flet për rrjete portalesh të lidhura me struktura rajonale proruse, ndërsa hulumtime të ndryshme dokumentojnë praninë e infrastrukturës digjitale ruse në vend.