Gazetare: Ajnur Bafqari
Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar lidhur me planin 15 pikësh për paqe, për të cilin mediat amerikane dhe izraelite, pretendojnë se Uashingtoni i ka dërguar Iranit përmes Pakistanit. Sipas raportimeve SHBA-ja po kërkon armëpushim njëmujor për ta diskutuar planin, i cili, ndër të tjera, përfshin mbajtjen e Ngushticës së Hormuzit të hapur, çmontimin e programit bërthamor të Iranit, përfundimin e mbështetjes për grupet e jashtme dhe heqjen e të gjitha sanksioneve ndaj Teheranit. Por këto shkrime nuk i ka komentuar as administrata Trump e as Teherani.
Lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme, Presidenti amerikan ka thënë se Shtetet e Bashkuara po “bisedojnë me njerëzit e duhur në Iran” lidhur me një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
“Ne, në fakt, po flasim me njerëzit e duhur dhe ata duan shumë të bëjnë marrëveshje. Nuk ia keni idenë sa shumë duan të bëjnë marrëveshje,” deklaroi Donald Trump, President i SHBA-së.
Për herë të dytë brenda dy ditësh, Trump tha se Irani është pajtuar se nuk do të zhvillojë kurrë armë bërthamore. Ndërsa nga ana tjetër figura të larta iraniane kanë mohuar se Teherani është në bisedime me Uashingtonin. Zëdhënësi ushtarak iranian madje është tallur me përpjekjet amerikane për të arritur një marrëveshje armëpushimi.
“Superfuqia e vetëshpallur globale do të kishte dalë tashmë nga kjo rrëmujë nëse do të mundte. Mos e maskoni humbjen tuaj si një marrëveshje. Epoka juaj e premtimeve boshe ka mbaruar. Konfliktet tuaja të brendshme kanë arritur në pikën ku po negocioni me veten tuaj. Fjala jonë e parë dhe e fundit ka qenë e njëjtë që nga dita e parë, dhe do të mbetet e tillë: dikush si ne nuk do të bëjë kurrë kompromis me dikë si ju. As tani, as kurrë,” tha Ebrahim Zolfaghari, Zëdhënës i Gardës revolucionare të Iranit.
Teherani kreu sulme të reja ndaj Izraelit dhe Kuvajtit dhe mediat amerikane raportuan se mijëra trupa shtesë mund të dërgohen në rajon. /Alsat.mk
The post Askush nuk e konfirmon planin 15 pikësh të paqes, i cili sipas mediave amerikane i është dorëzuar Iranit appeared first on Alsat.
