Gazetar: Bashkim Sulejmani
Mbrëmë vetëm një orë pas mesnate në vendin e quajtur Shimanovc pas Beogradit në Serbi, shkaku i reshjeve të dendura të borës, ka dalë nga rruga autobusi i kompanisë Hak Bus, i cili udhëtonte nga Maqedonia për në Slloveni.
Në këtë aksident për fat të mirë nuk ka pasur asnjë të lënduar, përveç dëmit material që i është shkaktuar autobusit, në të cilin udhëtonin 56 persona. Menaxheri i kompanisë Hak Bus përmes telefonit, për Alsat tha se pasagjerët kanë dalë nga autobusi gjithë shëndoshë e mirë dhe nuk ka pasur asnjë të lënduar ndërsa pas vetëm njëzet minutash, një autobus tjetër i kësaj kompanie që ka qëlluar afër, ka marrë udhëtarët dhe ka vazhduar drejt destinacionit.
Sipas menaxherit dhe udhëtarëve, shkak i këtij aksidenti ishte rruga e papastruar nga bora.
Që nga dita e djeshme, pothuajse e gjithë Serbia është e mbuluar me borë. Ndërmarrja Publike “Rrugët e Serbisë”, bazuar në raportin e Shtabit për shërbimin dimëror në orën 5 të mëngjesit, njoftoi se ka borë në shumë segmente të rrugëve më të frekuentuara, të kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë të përparësisë për mirëmbajtje, me trashësi deri në pesë centimetra, ndërsa sipërfaqja e rrugës është e rrëshqitshme, ndaj rekomandohet vozitje e kujdesshme./ Alsat.mk
The post Autobusi nga Maqedonia drejt Sllovenisë del nga rruga në Serbi, s’ka të lënduar appeared first on Alsat.
