
Me fjalët hyrëse të avokatëve të të akuzuarve, inspektorëve të ndërtimit, ish-kryetarëve dhe personelit të sigurimit, vazhdoi gjykimi për zjarrin në diskotekën e improvizuar Puls në Koçan. Ish-kryetari i komunës së Koçanit, Ratko Dimitrovski, i tha gjykatës se ai ishte i vetmi që, para hapjes së Pulsit, u vuri në dukje autoriteteve shtetërore se kabareja nuk kishte licencë, ndërsa Lupço Papazov, i cili ishte kryetar komune kur ndodhi tragjedia, tha se ai kishte bërë atë që ishte në kompetencën e tij- të jepte dorëheqjen.
“Menjëherë ditën tjetër, Komuna e Koçanit përgatit dhe dërgon shkresë të re me titull “Ju lutem, kërkesë për mosdhënie të licencës”. Të nderuar, a nuk jemi mbledhur të gjithë këtu për këtë pohim? Në atë kërkesë është shkruar gjithçka që kam qenë i detyruar ta di, çfarë destinimi ka ajo përfshirje nga PDU-ja dhe se nuk ka kushte për vend parkim dhe, në fund, një kërkesë e qartë që të mos jepet leje dhe licencë për diskotekë apo klub nate, sepse nuk është në kompetencë të komunës. Prandaj aty theksohet se do të jetë diskotekë apo klub nate, apo çfarëdo që do të jetë, si do të funksionojë atje”, tha Ratko Dimitrovski, ish-kryetar i Komunës së Koçanit.
“Nuk doja të flisja deri tani për hir të drejtimit të hetimit në drejtimin e duhur dhe të arritjes në përcaktimin e së vërtetës. Dua vetëm t’ju kujtoj dy mundësi që më është dashur të bëj në atë moment, njëra nga aspekti profesional për të mobilizuar të gjithë administratën komunale në ditën kritike, dhe për ta vënë atë në funksion të organeve hetuese, për ta vënë veten në funksion të të gjitha shërbimeve kompetente dhe një gjë tjetër, për të mbajtur kolegjiumin më të shkurtër gjatë mandatit tim si kryetar komune, në mënyrë që të siguroj kushtet themelore për zbatimin e të gjitha aktiviteteve të nevojshme në të ardhmen”, u shpreh Lupço Papazov, ish kryetar i Koçanit.
Familjarët e viktimave ndoqën me zemërim deklaratat e sotme të të pandehurve dhe të mbrojtësve të tyre, ndërsa në seancën e sotme gjyqësore ata vendosën një transparent me fytyrat e viktimave, për t’ua kujtuar të pandehurve viktimat, për të cilat ata mohuan fajësinë.
“Ja sot e sollëm këtë transparent me 63 fëmijët tanë të vrarë që ti rikujtojmë vrasësit e fëmijëve tanë se çfarë kanë bërë sepse në seancën e kaluar thane se nuk janë fajtorë. Ja kështu mund të shohin se çfarë kanë bërë”, tha njw prind.
“63 fëmijë të vrarë. 63 ardhmëri të shkatërruara të fëmijëve dhe familjeve të tyre. Shumë kontradiktore ishte që në seancën e kaluar askush nga të akuzuarit nuk u deklarua si fajtor. Vallë duhet ne prindërit t’ua rikujtojmë pse ndodhen në sallë gjyqësore? Askush prej tyre nuk pati asnjë gram ndërgjegje që të pranojë fajin. Shpresojmë se do ta fitojmë drejtësinë për fëmijët tanë”, u shpreh njw prind tjetwr.
Në sallën e gjyqit, megjithatë, inspektorët e ndërtimit dhe mbrojtësit e tyre theksuan se do të dëshmonin pafajësinë e tyre mbi bazën se ata nuk kishin autorizim pa denoncim dhe pa urdhër për të hyrë dhe inspektuar objektin.
Mbrojtja e sigurimit nga mbrëmja fatale, ndërkohë, thanë se klientët e tyre shpëtuan jetë dhe në asnjë mënyrë nuk kontribuan në tragjedinë që mori 63 jetë dhe mbi 200 u lënduan. Gjykimi vazhdon më 10 dhjetor./ Alsat.mk
