Avokati i Popullit –  Zyra Rajonale Kërçovë me vetiniciativë ka hapur procedurë për pikën e mbeturinave tek vendi i ashtuquajtur “Bunari Seferit” ku ditë më parë protestuan banorët duke kërkuar nga Komuna të mos ua ndotin ambientin.

Ylber Rufati zëvendës i Avokatit të Popullit shkruan se ka kërkuar nga Komuna e Kërçovës dokumentacionin e plotë për rastin në fjalë.

“Ky veprim institucional vjen pas informacioneve dhe shqetësimeve të shprehura nga qytetarët e lagjes Reshtan Pashinë e Epërme, fshati Trapçindoll – Llapkindoll, si dhe nga qytetarë të tjerë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë ngritur dilema serioze lidhur me ndikimin e mundshëm të këtij projekti në mjedis, shëndetin publik dhe cilësinë e jetës. Në kuadër të procedurës, nga Komuna e Kërçovës është kërkuar dokumentacioni i plotë që ka të bëjë me: vendimin për përcaktimin e lokacionit; dokumentacionin urbanistik dhe mjedisor; studimin e ndikimit në mjedis; realizimin e konsultimeve publike; masat e parapara për mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit”, tha Ylber Rufati zëvendës i Avokatit të Popullit.

Për këtë situatë TV21 kërkoi qëndrim nga Komuna e Kërçovës. Kryetari Komunës mohoi kategorikisht një projekt të tillë. Ai tha se vendi është pastruar për tu bërë vend për grumbullimin e qenve endacakë.

Aleksandër Jovanovski-KRYETAR I KOMUNËS SË KËRÇOVËS-(00:12-01:04)

“Protestat nuk e di se për çfarë arsye janë organizuar. T’ju them sinqerisht edhe unë jam i befasuar, ne atje dërguam një makineri që duhej të pastronte një parcelë në pronësi të shtetit tek e cila të them ekskluzivisht do të ndërtohet një vend për të grumbulluar qentë endacak. Megjithatë në bisedë të gjatë me sektorin e urbanizimit në Komunën e Kërçovës pasi e vizituam disa herë atë vend që gjendet në një gropë dhe nga Reshtani është 5km larg në vijnë ajrore ndërsa nga Trapçindolli është 3 deri 4 km larg në vijë ajrore në një gropë. Nuk e di kush ka arritur ti bind qytetarët se do të jetë diçka e dëmshme për ata ose për lumin aty. Aty nuk ka asnjë lum”, tha Aleksandër Jovanovski

Nga Zyra e Avokatit të Popullit me Vetiniciativë kanë hapur edhe një procedurë për situatën me vërshimet në Kërçovë duke ngritur dyshimin se kjo situatë ndodh për shkak të mangësive sistematike të në menaxhimin e kanalizimit atmosferik dhe mosmirëmbajtjes së shtretërve të lumenjve.