SHBA-ja, Irani dhe një grup ndërmjetësuesish rajonalë po diskutojnë kushtet për një armëpushim të mundshëm 45-ditor, i cili mund të çojë në një fund të përhershëm të luftës, raportoi mbrëmë Axios, duke iu referuar katër burimeve amerikane, izraelite dhe rajonale me njohuri për bisedimet.

Agjencia Reuters nuk mundi ta konfirmojë lajmin, pasi Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-së nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Sipas Axios, ndërmjetësit po diskutojnë një marrëveshje me dy faza: faza e parë do të ishte armëpushim 45-ditor gjatë të cilit do të negocionohej fundi i përhershëm i luftës. Faza e dytë do të ishte një marrëveshje për përfundimin e luftës.

Gjithashtu, raportohet se armëpushimi mund të zgjatet nëse nevojitet më shumë kohë për bisedime.

Presidenti amerikan Donald Trump mbrëmë deklaroi për Wall Street Journal se afati i tij për Iranin është deri të martën në mbrëmje për të hapur Gjirin e Hormuzit, përndryshe do të përballet me sulme ndaj infrastrukturës kritike.

“Nëse nuk veprojnë deri të martën në mbrëmje, nuk do të kenë më asnjë central elektrik dhe asnjë urë”, tha Trump për Wall Street Journal.