Me fotografinë e vajzës së tij, ku duken shenjat e dhunës në fytyrë, babai i 26-vjeçares Sara Gjorgjievska iu bashkua sot protestës kundër dhunës ndaj grave dhe femicidit në Ohër, përcjell TV21.

“Uroj që asnjë prind të mos e shohë fëmijën e tij në këtë gjendje dhe të mos përjetojë atë që na ndodhi neve”, deklaroi ai.

Protesta u mbajt pas ngjarjes së rëndë të 15 nëntorit, kur 31-vjeçari Kristian Koraboski dyshohet se e rrahu brutalisht Sarën deri në humbjen e vetëdijes dhe më pas e hodhi nga automjeti në rrugë.

I dyshuari ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa gjykimi pritet të nisë më 27 nëntor në Ohër.

Me thirrjet “Ohri nuk hesht” dhe “Asnjë viktimë më shumë”, qytetarët kërkuan përgjegjësi institucionale, hetime efikase dhe reagim në kohë ndaj çdo rasti të dhunës.

Marshi nisi nga shëtitorja e Ohrit, vazhdoi nëpër Çarshinë e qytetit dhe përfundoi para stacionit të policisë dhe Gjykatës Themelore./TV21