Në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës nga drejtimi i Hanit të Elezit erdhi si këmbësor në vendkalimin kufitar të Bllacës, i shumë kërkuari me flet arrest ndërkombëtar Përparim Bajrami. Ish drejtori i Lotarisë Shtetërore, i cili ishte në arrati që nga dhjetori i 2024, u vetë dorëzua më 09 shtator 2026 rreth orës 5:30 thonë nga policia kufitare. Ministri Toshkovski tha se Bajrami është dorëzuar njësoj si ish-Zëvendëskryeministri Artan Grubi, po ashtu është i akuzuar në lëndën “Lotaria.”
“Shohim që dal nga dal të gjithë ata që ishin në të kaluarën të pakapshëm për organet e ndjekjes tani janë siguruar dhe do të përballen me procedurat ligjore që ta dëshmojnë pafajësinë e tyre dhe prokuroria ta dëshmojnë atë që është puna e tyre dhe gjykata sipas saj të sjell vendim të drejtë me qëllim që në fund të kemi drejtësi, e cila do të duhej ta ngrit besimin në prokurori dhe në gjykatë”, theksoi Toshkovski.
Pas paraqitjes ai është arrestuar dhe është nisur drejt burgut të Shutkës në Shkup për të mbajtur masën e paraburgimit, të cilën gjykata ia pat caktuar në mungesë. Pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria themelore publike thonë se edhe kundër të akuzuarit të parë Përparim Bajrami do të zhvillohet procedurë gjyqësore me prezencë të tij, pasi tan i janë siguruar të gjithë të dyshuarit në rastin “Lotaria”.
“Procedura gjyqësore në të cilën ai akuzohet për Vepër Penale – Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtar sipas nenit 353 të Kodit Penal është në vazhdim. Përveç kësaj, kundër tij po zhvillohen edhe katër procedura të tjera në Prokurorinë Themelore Publike Shkup për të njëjtën vepër penale, në të cilën po mblidhen prova dhe po kryhen ekspertiza”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.
Gjykata do t’i japë të pandehurit një kopje të aktakuzës në mënyrë që ai të njihet me të, dhe duke pasur parasysh se afati ligjor për shqyrtimin e aktakuzës dhe provave është 8 ditë, gjykimi do të vazhdoj të premten më 18 shtator. Përveç Bajramit dhe Grubit, akuzohet edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, si dhe 5 anëtarë të Bordit mbikëqyrës të Lotarisë shtetërore. Sipas aktakuzës së hetuesisë ata akuzohen se gjatë viteve 2023 dhe 2024, duke tejkaluar kompetencat zyrtare, i kanë shkaktuar dëm SH.A. “Lotaria Shtetërore” në vlerë prej 596.125.511 denarësh, apo rreth 9.7 milionë euro duke bërë furnizime të jashtëligjshme të aparateve të kumarit, të cilat asnjëherë nuk u përdorën për lojërat elektronike të fatit.
