Gazetar: Zekirija Haxhiu

Orce Gjorgjievski nga VMRO-DPMNE dhe Amar Mecinoviq nga E Majta do të garojnë kokë më kokë në raundin e dytë për kryetar të Qytetit të Shkupit, pasi në raundin e parë, Gjorgjievski ndonëse mori mbi 91600 vota, nuk arriti të tejkalojë 50% e votave për të siguruar fitoren, shkruan Alsat.

“Rezultati është i qartë dhe i pa dyshimtë. Shkupi votoi për punë, Shkupi votoi për vizion, për projekte konkrete dhe për punë të përgjegjshme. Shkupi zgjodhi të ardhme. Kjo fitore dhe avantazh në rrethin e parë nuk është fitore e imja personale”, tha Orce Gjorgjievski – Kandidat i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Shkupit.

E Majta në Shkup doli e dyta mbi 30,660 vota apo 13,20%. Kandidati i kësaj partie, mori vota më shumë se sa Kaja Shukova e LSDM-së.

“Sot qytetarët e Shkupit treguan guxim se janë të gatshëm të zgjedhin diçka ndryshe. Sot “E Majta” shkroi historinë sepse për herë të parë në historinë e R. Së Maqedonisë në kryeqytet kemi kandidat i cili nuk mbështetet nga VMRO-DPMNE dhe LSDM”, u shpreh Amar Mecinoviq – Kandidat i së Majtës për kryetar të Shkupit.

I treti me radhë me 12% apo mbi 27,870 vota doli Bashkim Bakiu nga koalicioni VLEN. E katërta me 11,5% apo mbi 26,720 vota, Kaja Shukova nga LSDM. Përmes Facebookut, Shukova falënderoi qytetarët që e mbështetën.

“Rezultati nuk është ai që e dëshiruam, gjithsesi jam krenare për fushatën që e udhëhoqëm me nder, në mënyrë transparente, me vizion të qartë për zhvillim dhe jetë më të mirë për të gjithë banorët e Shkupit”, shkruajti Kaja Shukova – LSDM.

I pesti në Shkup u rendit kandidati i AKI-së, Skender Rexhepi me mbi 26,070 vota apo 11,22%. Për të parin e Shkupit garuan gjithsej 16 kandidatë. Ndërkohë ashtu siç ishte mbështetja për kryetarin e komunës, ashtu doli të jetë edhe mbështetja për këshillin e Shkupit. VMRO-DPMNE dhe VLEN, do ta përbëjnë shumicën në këshill.

Nga gjithsej 45, DPMNE-ja do të ketë 18 këshilltarë ndërsa VLEN do të ketë gjashtë. Nga gjashtë këshilltarë i kanë edhe AKI-ja edhe E Majta ndërsa LSDM mbeti me pesë. Nga një këshilltarë kanë Lëvizja Znam, dhe “Koalicioni për Sukses” e Risto Penov ndërsa do të ketë edhe dy këshilltarë të pavarur, Marjan Kaleski dhe Jana Bellçeva Andreevska. Vlen të përmendet se për kryetar të Shkupit, janë regjistruar diku mbi 12,270 fleta të pavlefshme. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 2 nëntor./ Alsat.mk

The post Balotazhi në Shkup – VMRO dhe E Majta kokë më kokë appeared first on Alsat.