Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka fshirë një video nga rrjetet sociale e cila paraqiste Barack dhe Michelle Obama si majmunë.

Ata shfaqeshin në fund të një videoje 62-sekondëshe që përmbante pretendime për mashtrim votuesish në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Shtëpia e Bardhë fillimisht e mbrojti klipin si një “video meme në internet” dhe u tha kritikëve të “ndalojnë zemërimin e rremë”.

Në atë video shihen gjithashtu disa demokratë të tjerë të profilit të lartë si kafshë, përfshirë përfaqësuesen e Nju Jorkut, Alexandria Ocasio-Cortez, kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani dhe ish-Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton.

Paraardhësi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden, është përshkruar gjithashtu si një majmun që ha një banane. Familja Obama ende nuk ka komentuar për videon. Ndërsa presidenti nuk ka bërë ende asnjë koment, shpërndarja e videos shkaktoi reagime të shumta.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha për NBC-në se postimi ishte bërë gabimisht nga një anëtar i stafit.

“Një punonjës i Shtëpisë së Bardhë e postoi gabimisht postimin. Përmbajtja është hequr”, tha ai.