Barcelona e ka fituar sërish Superkupën e Spanjës, duke mposhtur në finale rivalin e përbetuar, Real Madrid.
“El Clasico” si gjithnjë ishte tepër e zjarrtë, me të dy skuadrat që rrezikuan nga fillimi – ku epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 3-2.
Barcelona fillimisht dominoi në posedim për të krijuar rastet më të rrezikshme, mirëpo që dështonin t’i konkretizonin.
Ishte Raphinha që e zhbllokoi epërsinë me një supergol pas asistimit të Fermin Lopez (36’).
Sidoqoftë, Reali u kthye në lojë falë Vinicius Jr që shënoi një gol të bukur solo (45+2’).
Barcelona megjithatë riktheu shpejtë epërsinë përmes Robert Lewandowskit, që shënoi me një parabolë të bukur pas asistimit të Pedrit (45+4’).
Por, Reali arriti të shënojë prapë. Në aksionin e fundit, Gonzalo Garcia shënoi pas një topi të kthyer nga rivëndja këndore (45+6’).
Heroi i Barcelonës rezultoi të jetë Raphinha, i cili realizoi një tjetër supergol – ku këtë herë goditja e fuqishme iu devijua nga Asencio dhe përfundoi brenda rrjetës (73’).
Barcelona në kohë shtesë edhe mbeti me një lojtar më pak si pasojë e një ndërhyrje të rëndë të De Jong te Mbappe (90+1’).
Sidoqoftë, Reali nuk i shfrytëzoi dy raste të arta në kohën shtesë – ku si Asencio edhe Carreas dështuan nga afërsia.
Kësisoj, Hansi Flick e mban rekordin e mrekullueshëm si të pamposhtur në finale.
Tifozët e Real Madridit kanë shpërthyer në kritika të ashpra ndaj trajnerit Xabi Alonso pas humbjes së radhës ndaj Barcelonës.
Trajneri spanjoll u vu në qendër të kritikave për disa zëvendësime të pakuptueshme në pjesën e dytë, vendime që lanë të habitur një pjesë të madhe të mbështetësve të klubit.
Në një sezon me shumë luhatje dhe rezultate zhgënjyese, durimi i tifozëve duket se ka arritur kufirin. Reagimet në rrjetet sociale ishin të ashpra dhe të drejtpërdrejta.
“Shkarkojeni menjëherë”, “Xabi Alonso nuk është njeriu i duhur për Real Madridin”, “Mjaft më me eksperimente në ‘Clasico’”, ishin disa nga komentet më të përhapura mes tifozëve pas humbjes ndaj Barcelonës.
Presioni mbi Alonson pritet të rritet ndjeshëm në ditët në vijim, teksa Real Madridi vazhdon të vuajë kundër rivalit historik dhe rezultatet nuk përputhen me pritshmëritë e mëdha të klubit dhe tifozërisë.
Ndërkohë, Real Madridi do të vendosë gjatë ditëve të ardhshme për të ardhmen e teknikut spanjoll.
Trajneri Xabi Alonso thotë se Superkupa e Spanjës është kompeticioni më i parëndësishëm i këtij sezoni.
“Humbja e finales? Ky kompeticioni është më i parëndësishmi i këtij sezoni”.
