Sot do të zhvillohen 9 ndeshjet e fundit të javës së dytë në Ligën e Kampionëve. E gjithë vëmendja do të jetë në Barcelonë, ku takohen Barcelona dhe Paris Sen Zhermeni. Të dy skuadrat janë në moment të mirë. Barcelona në fundjavë e mori kryesimin në La Liga. dhe ka 19 pikë nga shtatë ndeshje, një më shumë se Real Madridi. PSZH fitoi 2:0 ndaj Okserit, pasi në ndeshjen e parafundit kampionale ishte befasuar, 1:0 nga Marseja.
Trajneri i PSZH-së, Luis Enrike, ka të kaluar te Barcelona si lojtar dhe si trajner. Ishte i suksesshëm në të dy rolet, ndërsa tani po bën histori te parisienët.
“Jam i lumtur që kthehem, është shtëpia ime. E kam kaluar shumicën e karrierës si lojtar dhe si trajner këtu. Nuk jemi në ‘Camp Nou’, por është stadium shumë i bukur. Kam luajtur në Lojërat Olimpike 1992 këtu. Është e veçantë të jem këtu”, ka thënë Enrike të martën në konferencë për shtyp.
“Për ne është entuziazmuese që luajmë ndaj një ekipi që paraqitet me mentalitet të njëjtë. Barcelona ka trajner të nivelit më të lartë, të cilin e njoh për kohë të gjatë. Trajneri dhe lojtarët janë të etur për ndeshje të mirë. Dy skuadrat janë të ngjashme, por vendimtare do të jetë fitimi i topit”, ka theksuar Enrike.
Edhe trajneri i Barcelonës, Hansi Flik, ka folur me respekt maksimal.
“Do të luajmë me ekipin më të mirë në botë. Parisi ka trajner të shkëlqyer dhe lojtarë të shkëlqyer. Është sfidë e shkëlqyer”, ka thënë gjermani Flik.
Edhe Barça përballet me mungesa. Fermin Lopez, Joan Garcia e Gavi janë të lënduar. Flik ka thënë se lëndimet janë pjesë e futbollit dhe si skuadër duhet të dinë si t’i menaxhojnë ato. Ai ka besim në lojtarët e rinj.
Të mërkurën prej orës 18:45 janë ndeshjet: Karabak – Kopenhagë dhe Rojall Union – Njukasëll.
Prej orës 21:00 janë edhe ndeshjet: Arsenal – Olympiakos, Bajer Leverkuzen – PSV, Dortmund – Atletik Bilbao, Monako – Man. Siti, Napoli – Sporting dhe Viljareal – Juventus.
The post Barcelona – PSZH, derbi kryesor i javës së dytë në Ligën e Kampionëve appeared first on Alsat.