Barnat e njohura për diabetin që po përdoren edhe humbjen e peshës, si Ozempic dhe Wegovy, mund të kenë përfitime më të gjera sesa mendohej më parë. Disa studime të reja sugjerojnë se ilaçet e grupit GLP-1 mund të lidhen me rrezik më të ulët të zhvillimit ose rikthimit të disa llojeve të kancerit, ka shkruar FoxNews.

Mjekja amerikane Loren Rourke, kirurge e specializuar për kancerin e gjirit, ka thënë se hulumtimet e fundit kanë treguar se ekziston një lidhje mes përdorimit të këtyre barnave dhe uljes së mundësisë të rikthimit të kancerit të gjirit.

Megjithatë, ajo ka theksuar se këto rezultate janë ende vetëm në fazën e vëzhgimit, që do të thotë se nuk mund të thuhet me fakte ende se barnat GLP-1 e parandalojnë ose kurojnë kancerin.

“Këto nuk janë studime ku pacientët mund t’i drejtohen menjëherë mjekut dhe të thonë: ‘Dua GLP-1 për të ulur rrezikun e kancerit të gjirit’. Por ato kanë hapur një rrugë të re për hulumtime”, ka thënë ajo.

Sipas ekspertëve, një nga arsyet pse këto barna mund të kenë ndikim është se ato ndihmojnë në humbjen e peshës dhe ulin inflamacionin kronik në trup.

Yndyra e tepërt në trup mund të rrisë prodhimin e estrogjenit, hormon që lidhet me disa forma të kancerit të gjirit. Prandaj, ulja e peshës mund të sjellë përfitime shtesë për shëndetin.

“Sa më shumë yndyrë të kemi në trup, aq më shumë estrogjen prodhojmë. Nëse këto barna ndihmojnë në uljen e inflamacionit kronik të trupit, kjo mund të jetë e dobishme për shumë arsye”, ka thënë Rourke.

Megjithatë, shkencëtarët ende nuk kanë dhënë vulë se këto ilaçe ndikojnë drejtpërdrejt te qelizat kancerogjene. Për këtë arsye nevojiten studime të mëdha klinike për të kuptuar nëse ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë shkak-pasojë.

Këshilla e mjekes për njerëzit që po përpiqen të humbin peshë është që të konsultohen me mjekun.

“Nëse keni peshë të madhe trupore, keni provuar ushqyerje të shëndetshme dhe aktivitet fizik, por nuk po arrini rezultatet e dëshiruara, barnat GLP-1 mund të jenë një mundësi që duhet diskutuar me mjekun”, ka thënë ajo.

Ekspertët theksojnë se këto barna nuk duhet të përdoren si “ilaçe kundër kancerit” pa dëshmi të mjaftueshme, por studimet e reja po hapin një fushë interesante kërkimi për të ardhmen.