Klubi FC Bashkimi 1947 njofton se në minutat e fundit të ndeshjes kundër FK Vardar, tifozët e ekipit vendas përdorën thirrje ofenduese në baza nacionale, si “Shqiptari i mirë, shqiptari i vdekur” dhe “Dhomë gazi për shqiptarët”, përcjell TV21. Klubi kërkon nga Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut masa të menjëhershme ndaj këtij incidenti, duke theksuar se Bashkimi ka qenë gjithmonë nikoqir korrekt dhe respektues në futboll.

“Klubi FC Bashkimi 1947 informon opinionin publik dhe mediat se në ndeshjen e sotme kundër FK Vardar, në minutat e fundit të takimit, tifozeria e ekipit nikoqir filloi me ofendime në baza nacionale, duke përdorur thirrje të papranueshme si: “Shqiptari i mirë, shqiptari i vdekur” , “Dhomë gazi për shqiptarët”. Këto thirrje u përsëritën disa herë, duke krijuar një situatë të tensionuar dhe të papranueshme në stadium. Përkundër kësaj, nga ana e delegatit të ndeshjes dhe gjyqtarit nuk pati reagim adekuat deri në momentin kur përfaqësuesi i klubit tonë u detyrua të ndërhyjë dhe të largojë ekipin përkohësisht nga fusha, me qëllim mbrojtjen e lojtarëve dhe stafit tonë. Theksojmë se kjo ishte arsyeja e vetme e tërheqjes së ekipit nga terreni për disa minuta. Klubi kërkon nga Federata e Futbollit e Maqedonisë që të marrë masa të menjëhershme dhe të duhura ndaj këtij incidenti, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. FC Bashkimi 1947 ka dëshmuar gjithmonë se është një nga nikoqirët më korrekt dhe më të respektueshëm në futbollin e Maqedonisë së Veriut. Stop nacionalizmit në futboll”, thonë nga Bashkimi.