Ka një javë që opozitarja BDI në Çair mban konferenca të përditshme për premtimet e dhëna e ende të panisura të kryetarit të komunës  Izet Mexhiti. Sipas integristëve, Mexhti nuk është duke realizuar asgjë nga ato që ka thënë. BDI kritikon Mexhtin për mashtrim elektoral, pasi sipas tyre, bulevardi “Mid’hat Frashëri” i premtuar para zgjedhjeve nuk ka as projekt, as buxhet dhe as fillim realizimi. Fatin e njëjtë sipas BDI-së e kanë edhe projektet e tjera. Akuzojnë po ashtu për ndërtime të paligjshme, duke përfshirë edhe objekte mbi ndërtime ekzistuese, në kundërshtim me premtimin elektoral për ndalimin e kaosit urban. BDI kërkon ndërhyrje urgjente nga inspektorati, prokuroria dhe ministria për të garantuar ligjin, sigurinë dhe rendin urban për qytetarët.

“Para zgjedhjeve, Izet Mexhti premtoi ndërtimin e bulevardit “Mid’hat Frashëri” – një projekt madhor me 4 korsi, shtigje për biçikleta dhe lidhje të re urbane mes Çairit, Shutkës dhe Qendrës së Shkupit. Premtim i madh, fjalë të mëdha, video dhe postime plot entuziazëm. Sot, pas zgjedhjeve, realiteti është i thjeshtë: nuk ka asnjë cent në buxhetin e Qytetit të Shkupit. Nuk ka asnjë cent në buxhetin e Komunës së Çairit. Nuk ka as projekt. Nuk ka as plan. Nuk ka as fillim”, tha Besarta Alija-BDI-Çair.

Akuzave të BDI-së, kreu i Çairit iu përgjigj mbrëmë në Click Plus, duke paralajmëruar bum investimesh në fillim të marsit. Sipas Mexhtit, projektet janë gati, por punimet do të fillojnë në fillim të marsit për shkak të kushteve atmosferike, që, siç tha, të mos u shkaktojnë telashe qytetarëve.

 “Nëse nuk kanë punë tjetër, le të vazhdojnë me këtë fushatë që e bëjnë, por në mesin e shkurtit, fillimin e marsit do ta ballafaqojnë me bagerët. Ne po bëjmë përgatitjet e fundit intensive për shkak të rrethanave kohore dhe kushteve klimatike, pasi një pjesë e mirë e projekteve kanë të bëjnë me infrastrukturën nëntokësore me rrugët dhe, nëse tash i fillojmë, ka reshje të borës dhe reshje të shiut, dhe ajo krijon telashe tek qytetarët, ua vështirëson jetën, dhe pastaj ka reagime nëse fillojmë t’i hapim, nuk mund t’i mbyllim, për shkak se bazat e asfaltit diku, më 15 mars do të hapen, dhe përgatitjet janë intensive që diku në Çair të ndodhë bumi më i madh i investimeve nga fillimi i marsit”, u shpreh Izet Mexhiti – kryetar i Komunës së Çairit.

Mexhti paralajmëroi projektin për lagjen Duqanxhik, për të cilin është ndarë buxhet prej 2 milionë euro dhe punimet në lagjen “Teneqe Mëhallës”. Po ashtu, njoftoi se pritet nisja e rrugës “Ferit Murad” me kosto 1 milion euro, punimet për ashensorët, vendosja e kontejnerëve në Fushë Tophanë dhe disa projekte të tjera.