BDI ÇAIR : Në mënyrë jotransparente, Komuna e Çairit merr 2 milionë euro borxh që do t’i paguajnë qytetarët për të shlyer detyrime të krijuara për interesa zgjedhore dhe jo për zhvillim publik. Pa llogaridhënie, pa transparencë, barra po zhvendoset tek…

Imrane Veliu Aliu

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Sot po flasim për një vendim që në pamje të parë duket teknik, por në thelb është thellësisht politik dhe i rrezikshëm për të ardhmen e Çairit.

Këshilli i Komunës së Çairit ka miratuar një vendim për huamarrje afatgjate prej 120 milionë denarë, me afat kthimi prej 10 vitesh, me qëllim të vetëm: shlyerjen e borxheve ekzistuese të komunës .

Le ta themi qartë: kjo nuk është kredi për zhvillim. Kjo nuk është kredi për projekte. Kjo është kredi për të mbuluar dështimet.

Kjo do të thotë që qytetarët e Çairit dhe gjeneratat e ardhshme do të paguajnë për vite me radhë për shpenzime që janë bërë tashmë, pa transparencë, pa llogaridhënie dhe pa dobi publike.

Dhe këtu lind pyetja thelbësore: si u krijuan këto borxhe?

Qytetarët e Çairit e dinë shumë mirë se ku shkuan paratë. Në kontrata të përkohshme masive që u ndërprenë menjëherë pas zgjedhjeve. Në financimin e takimeve partiake dhe mobilizimin e aktivistëve. Në restorante dhe shpenzime luksi të lidhura me funksionarë qeveritarë. Në projekte që nuk kishin lidhje me zhvillimin, por me ndikimin e votës.

Pra, kemi një model të qartë: shpenzo për zgjedhje, fito pushtetin, merr kredi, dhe lëre borxhin qytetarëve.

Ky vendim nuk është vetëm i papërgjegjshëm. Është i padrejtë.

Sepse sot po merret një kredi 10-vjeçare që do të paguhet nga qytetarë që nuk kanë përfituar asgjë nga këto shpenzime, që nuk kanë qenë pjesë e këtyre vendimeve dhe që në shumë raste as nuk kanë votuar për këtë pushtet.

Kjo është zhvendosje e barrës nga politika tek qytetari. Nga sot tek e ardhmja.

Mungesa e transparencës është alarmuese. Nuk ka listë të detyrimeve që do të shlyhen. Nuk ka analizë se si janë krijuar borxhet. Nuk ka përgjegjësi për ata që i kanë krijuar.

Vetëm një fakt mbetet: 120 milionë denarë borxh pa përgjigje për arsyen.

Ne nuk jemi kundër huamarrjes si instrument. Por jemi kundër keqpërdorimit të saj për të mbuluar abuzimet.

Çairi nuk mund të trajtohet si një arkë zgjedhore që zbrazet gjatë fushatës dhe mbushet me kredi pas saj.

Prandaj kërkojmë publikimin e plotë të çdo detyrimi që do të shlyhet me këtë kredi, audit të pavarur për shpenzimet e periudhës para zgjedhjeve dhe përgjegjësi individuale për çdo keqpërdorim të mjeteve publike.

Sepse kjo praktikë duhet të ndalet.

Vota nuk mund të blihet sot dhe të paguhet nesër nga qytetarët.

Çairi nuk ka nevojë për kredi për të mbuluar të shkuarën. Çairi ka nevojë për përgjegjësi për të ndërtuar të ardhmen.

Faleminderit.