Kjo është lista e 310 nxënësve të pranuar në Shkollën e Mesme të Policisë „7 Maji“.
Në të, tek-tuk mund të lexosh emrin e ndonjë nxënësi shqiptar, pasi janë më pak se 2-3% e të gjithë të pranuarve.
Numri tepër i ulët i nxënësve shqiptarë ka ngritur pikëpyetje për përfaqësimin e barabartë etnik, ndërsa ka ngjallur edhe reagime të forta politike.
Opozitarja BDI këto të dhëna i quan alarmante dhe dëshmojnë për përjashtim sistematik të shqiptarëve nga organet e rendit dhe sigurisë.
Zëdhënësja Arta Bilalli Zendeli tha se nga gjithsej 310 kandidatët e pranuar, shqiptarët, turqit, romët, serbët dhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera janë vetëm 11.
Me kritika për konkursin doli edhe Alanca për Shqiptarët, duke ngritur shqetësimin se përbërja e sotme e kësaj shkolle do të reflektohet drejtpërdrejt në përbërjen e policisë në vitet e ardhshme.
“Ku është VLEN-i përballë këtij diskriminimi flagrant? Ku janë funksionarët shqiptarë në Qeveri dhe MPB? Si mund të heshtin kur shqiptarët përfaqësohen me më pak se 3 për qind në një institucion kaq të rëndësishëm për sigurinë e shtetit?”, thonë nga ASH.
ASH kërkoi transparencë të plotë për konkursin, numrin e kandidatëve shqiptarë që kanë aplikuar, mënyrën e vlerësimit dhe arsyet që kanë sjellë deri te një rezultat kaq skandaloz. Nga ana tjetër, integristët kërkuan anulimin e konkursit dhe përsëritjen e te njëjtit me kritere që garantojnë përfaqësim adekuat të të gjithave komuniteteve. Kërkuan po ashtu edhe dorëheqjen e zëvendësministrit te brendshëm Astrit Iseni. Ky i fundit në Facebook shkroi se edhe përskaj thirrjeve të vazhdueshme për aplikim, interesimi i të rinjve shqiptarë për konkursin ka qenë i vogël.
“Interesimi i shqiptarëve për këtë konkurs nuk ka qenë afër pritshmërive tona. Edhe nga ata që kanë aplikuar, një numër nuk janë paraqitur në fazën e testimit, duke u tërhequr faktikisht nga gara. Prandaj, është e pandershme politikisht të thuhet se shqiptarët janë “përjashtuar”, pa treguar sa kanë aplikuar, sa kanë vazhduar procesin dhe sa kanë plotësuar kriteret e përcaktuara”, tha Iseni.
Iseni iu kundërpërgjigj edhe akuzave të opozitës, duke i kërkuar BDI-së që të mos e përdorë interesin e shqiptarëve për politikë ditore.
