Deklarata e djeshme e Kryeministrit për përdorimin e gjuhës shqipe, sipas BDI-së, zbulon qartë synimin e Hristijan Mickoskit për të degraduar statusin zyrtar të shqipes, duke e kthyer atë, siç thonë integristët, në një formulë të tejkaluar dhe të papranueshme, si në Ligjin e vitit 2008, ku shqipja përdorej vetëm me kërkesë të shqiptarëve dhe përmes plotësimit të formularëve të veçantë.

“Kjo është një përpjekje e hapur për të zhbërë të drejtën e gjuhës të garantuar me Kushtetutë dhe me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve të vitit 2018, i cili e bëri gjuhën shqipe zyrtare në të gjitha institucionet qendrore. Tashmë është e qartë se qeveria nuk e njeh këtë realitet dhe po përgatit terrenin për ta anuluar këtë ligj përmes Gjykatës Kushtetuese”, tha Amir Shabani nga BDI.

Ky reagim i integristëve vjen një ditë pasi kryeministri Mickoski, duke u përgjigjur për çështjen e Ligjit për të drejtat e fëmijëve për të cilin pati akuza se shkurtohet e drejta për licenca dygjuhëshe, siguroi se shqiptarët do të mund formularin ta kërkojnë edhe në gjuhën shqipe.

“Përndryshe, dihet, gjuha zyrtare në të gjithë territorin është gjuha maqedonase, por të gjithë ata, në këtë rast shqiptarët të cilët do të kërkojnë që formulari të jetë edhe në gjuhën shqipe, kjo do të përcaktohet tani në mënyrë precize sipas Kushtetutës dhe Ligjit për gjuhët, dhe do ta marrin këtë të drejtë”, potencoi kryeministri Hristijan Mickoski.

Mickoski pohon se Ligji do të rishqyrtohet në Qeveri dhe do të dërgohet në Kuvend për miratim, por edhe krahas deklaratës së tij se shqipja do të respektohet, nga BDI theksuan se do të përdorin të gjitha mjetet politike, ligjore dhe demokratike për të kundërshtuar këtë, siç e quajnë, prapakthim dhe për të mbrojtur të drejtat tona të fituara me sakrificë. Integristët u bënë thirrje shqiptarëve që të jenë të vetëdijshëm për rrezikun që po i kanoset shqipes dhe të qëndrojnë të bashkuar kundër kësaj përpjekjeje për tа ulur statusin politiko juridik të shqiptarëve.