Gazetare: Zekirija Haxhiu

Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur shqetësimin e saj për rrugën evropiane të vendit, duke marrë për bazë të arriturat e vendeve fqinje në krahasim me Maqedoninë. Siç thonë nga kjo parti, Mali i Zi ka mbyllur disa kapituj negociues e Shqipëria është në fazë të avancuar me shumicën e kapitujve në rishikim. Siç thotë nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, mos përparimi i vendit drejt anëtarësimit në BE, cenon dhe mos respektim edhe të Marrëveshjes së Ohrit.

“Ky realitet është rezultat i politikave bllokuese, paaftësisë dhe mungesës së vullnetit të sinqertë nga qeveria aktuale, e cila as në plan nuk i ka ndryshimet kushtetuese që do të çlironin procesin eurointegrues të vendit. VLEN-i gënjeu para zgjedhjeve kur deklaronte se “nuk ka qeveri pa ndryshime kushtetuese”, tha Arbër Ademi – AKI.

Por për zv.kryeministrin e parë Izet Mexhiti, BDI-ja është e fundit që duhet të kërkojë llogari për rrugën evropiane të vendit, pasi siç tha, në tetë vitet e kaluara nuk ka lëvizur aspak në këtë drejtim.

“BDI pati mundësinë tetë vite, ka udhëhequr edhe me resorin MPJ, një milimetër nuk e ka lëvizur për euro integrimet e shtetit kështu që nuk kanë të drejtë morale ata të flasin shumë rreth kësaj teme. Qeveria është e fokusuar në prioritetet më të larta janë integrimet evropiane”, u shpreh Izet Mexhiti – Zv.kryeministër i parë.

Maqedonia e Veriut stagnoi në rrugën e anëtarësimit në Bashkimit Evropian përshkak vetos së vendosur nga Bullgaria fqinje, e që ka të bëjë me futjen e bullgarëve në Kushtetutën e vendit. Ndërkohë nga VMRO-DPMNE e cila është partia kyçe në Kuvend, thonë se pëlqimi i tyre do të vijë në momentin kur shteti do të marrë garanca se më tutje nuk do të ketë kërkesa të reja./Alsat.mk

The post BDI-ja e quan fajtor pushtetin për të gjithë ngecjen e procesit të eurointegrimeve appeared first on Alsat.