BDI dorëzoi kallëzim penal ndaj Ministrisë së Drejtësisë, siç thonë ata për shkelje serioze të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore. Para prokurorisë ata numëruan arsyet që ministri Fillkov po shkel ligjin për përdorimin e gjuhëve pasi që nuk lejon që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Aktivisti Bekim Berisha tha se ministri ka vepruar në kundërshtim me nenin 7 të Kushtetutës dhe nenet 1, 2, 3 dhe 9 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, të cilat e njohin gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes dhe detyrojnë institucionet shtetërore të sigurojnë përdorimin e gjuhës zyrtare të palëve në procedurat dhe dokumentet zyrtare.
“Sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, institucionet shtetërore dhe atë të drejtësisë, janë të detyruara të sigurojnë që proceset, dokumentet dhe komunikimi zyrtar të zhvillohen edhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve. Duke mos ofruar provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe duke refuzuar zbatimin e kësaj të drejte ligjore, Ministria e Drejtësisë ka shkelur detyrat e saj zyrtare, ka cenuar parimin kushtetues të barazisë dhe ka vepruar në kundërshtim me rendin juridik të shtetit”, tha Bekim Berisha.
Nga VLEN thonë se është për keqardhje që 25 vite pas Marrëveshjes së Ohrit ka mbetur i pa rregulluar statusi i avancimit të gjuhës shqipe. Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai tha se në këtë çerek shekulli partia e BDI-së dhe partnerëve të tyre kanë pasur 7 ministra të drejtësisë.
“Ministria të Drejtësisë nga viti 2000 e deri më tani ishin Ixhet Memeti, Ismail Dardhishta, Bilent Salihi, Blerim Bexheti, Adnan Jashari, Valdet Xhaferi dhe Krenar Lloga. 7 ministra shqiptar kanë udhëhequr me atë ministri dhe nuk e kanë parë të rrugës të rregullojnë një problem bazik, çështje administrative që është kalimi i një provimi në gjuhën shqipe”, tha Arben Fetai.
Për provimin e Jurisprudencës në shqip u drejtuam edhe në Gjykatën Kushtetuese. Kreu i këtij organi Darko Kostadinovski tha se pritet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Kam dëgjuar një pjesë përmes mediave rreth kësaj çështje, por do të përmbahen nga përgjigjet. Siç thash më herët, para neve është Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe vlerësimin i saj për kushtetutshmërinë e saj dhe mos të prejudikoj prandaj po përmbahem nga komentimi”, deklaroi
Tema për provimin i jurisprudencës u bë aktuale pasi studentët shqiptarë të juridikut firmosën peticion duke kërkuar nga institucionet kompetente që ky provim të jepet edhe në shqip.
