BDI kërkon tërheqjen e librit të Gjeografisë: Kosova nuk është “Metohi”!

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kërkon tërheqjen e menjëhershme të librit të Gjeografisë për klasën e shtatë, ku në pjesën për Republikën e Kosovës, përdoret fjala “Metohi”. Nga BDI thonë se përgjegjësia për këtë “bie drejtpërdrejt mbi strukturat qeverisëse, të cilat përfaqësohen në Ministrinë e Arsimit dhe Komisionin për tekste shkollore”.

“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për qasjen tendencioze dhe pasaktësitë e rënda që gjenden në librin e Gjeografisë për klasën e VII-të, botuar nga shtëpia botuese “Trimaks”, Shkup, dhe miratuar nga Komisioni Kombëtar për tekste shkollore më 5 gusht 2025. Ky libër është futur në përdorim gjatë vitit shkollor 2025 dhe përmban formulime që shtrembërojnë realitetin historik dhe politik të Kosovës. Paraqitja e Kosovës si “gjendet në jugperëndim të Serbisë” i jep Serbisë rolin e pikë-referencës dhe anashkalon njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Maqedonia e Veriut. Përdorimi i termit “Metohi” për Rrafshin e Dukagjinit përbën një devijim të rëndë identitar dhe shkencor, duke u bërë mjet i narrativave historike serbe. Po ashtu, formulimi “Mitrovica e Kosovës” reflekton terminologjinë tendencioze serbe si “Kosovska Mitrovica” dhe nuk mund të jetë pjesë e një teksti shkollor të miratuar institucionalisht. BDI kërkon urgjentisht të tërhiqet libri nga përdorimi, të rishikohet dhe të korrigjohet përmbajtja sipas standardeve shkencore dhe të politikës shtetërore, të përcaktohet përgjegjësia institucionale dhe politike për këtë libër të botuar në 2025 dhe të garantohet neutraliteti akademik në të gjitha tekstet e ardhshme shkollore”, thonë mes tjerash nga BDI.