Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi në lidhje me rritjen e çmimeve të derivateve të naftës dhe për menaxhimin e dobët të krizës nga ana e qeverisë. Nga mesnata e mbrëmshme, çmimi i karburantit është rritur me 15 denarë për litër, duke rënduar standardin jetësor të qytetarëve dhe bizneset.
BDI thekson se zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet gjeopolitike ishin të paralajmëruara, dhe qeveria kishte kohë për të ndërmarrë masa parandaluese. Sot qytetarët përballen me mungesa, pasiguri dhe çmime në rritje, ndërsa institucionet përgjegjëse mbeten pasive.
Për të adresuar situatën, BDI propozon masat e mëposhtme:
- Komisioni Rregullator për Energjetikë të rishqyrtojë menjëherë vendimin për çmimet e derivateve.
- Rezervat shtetërore të naftës, të mjaftueshme për 62 ditë, të hidhen në treg me çmim maksimal prej 71 denarë për litër.
- Qeveria të shqyrtojë uljen e barrës fiskale për karburant, përfshirë akzizat dhe taksat e tjera, për të stabilizuar tregun dhe mbrojtur qytetarët.
- Shërbimet inspektuese të kontrollojnë sasitë e derivateve në pikat e furnizimit dhe të vendosin ngrirje çmimesh për sasinë e importuar më herët me çmime më të ulëta.
- Masa ligjore për operatorët që nuk kanë furnizuar qytetarët gjatë fundjavës dhe ditës së hënë.
BDI nënvizon se qytetarët nuk mund të lihen në mëshirë të çmimeve dhe spekulimeve. Partia mbetet e gatshme të mbështesë çdo vendim që synon stabilizimin e tregut, mbrojtjen e standardit jetësor dhe interesit ekonomik të vendit.
