BDI mban nesër Kongresin partiak: Faton Ahmeti zëvendëson Artan Grubin

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nesër do të mbajë Kongresin e partisë, i cili pritet të shënojë ndryshime të thella në strukturat drejtuese.

Sipas informacioneve akoma jozyrtare brenda partisë së Ahmetit, kreu i integristëve pritet të ndërmarrë një riformatim të plotë të Kryesisë, duke larguar shumicën e anëtarëve aktualë dhe duke emëruar emra të rinj.

Sipas këtyre raportimeve, në Kryesinë e re të BDI-së pritet të përfshihen emra si: Arbana Pasholli, Arta Bilalli Zendeli, Valdet Xhaferi, Suat Shaqiri, Faton Pollozhani, Erkan Arifi, Ridvan Ibrahimi, Besnik Ejup, Blerim Osmani, Ardita Dani, Arian Daci, Artin Spahiu, Emir Sulejmani, Jeton Shaqiri, Mirsad Ibrahimi, Valon Asani dhe Rina Ajdari.

Po ashtu, në qarqet partiake përflitet se në strukturat koordinuese (kombinatorikë) do të jetë edhe Bujar Osmani, për të cilin flitet gjithashtu si kandidat i mundshëm për kryetar të degës së Çairit.

Në të njëjtën listë përmendet edhe Arbër Ademi, megjithatë pozicioni i tij, sipas burimeve, mund të vihet në pikëpyetje për shkak të rivalitetit të kuadrove të tjera nga Likova dhe Kumanova.

Ndërkohë, sipas informacioneve jozyrtare, Faton Ahmeti përflitet si kandidat për shef kabineti i Ali Ahmetit, në vend të Artan Grubit, ndërsa Valdet Xhaferi shihet si kandidat potencial për postin e sekretarit të përgjithshëm të partisë.

Sipas të njëjtave burime, Arbana Pasholli pritet të emërohet në postin e nënkryetares së BDI-së, duke forcuar përfaqësimin e grave në strukturat më të larta të partisë.

Zhvillimet përfundimtare dhe emërimet zyrtare pritet të bëhen të ditura pas përfundimit të Kongresit, i cili shihet si një moment kyç për ripozicionimin politik dhe organizativ të BDI-së në prag të sfidave të ardhshme politike.