Bashkimi Demokratik për Integrim tha se po e denoncon sërish skandalin e korrupsionit në Ministrinë e Mjedisit, që siç thotë, është konfirmuar se Izet Mexhiti dhe shefi i kabinetit të tij, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. BDI thotë se, nga burimet e tyre të besueshme, thuhet se, shefi i kabinetit të Mexhitit ishte personi kryesor në ryshfet dhe BDI thotë se, ky i fundit ka ushtruar edhe presion ndaj kompanive dhe qytetarëve për shërbime administrative. BDI kërkon që të zgjerohen hetimet nga institucionet përkatëse.

“BDI denoncon edhe njëherë skandalin e rëndë të korrupsionit në Ministrinë e Mjedisit, ku pas një kontrolli të Inspektoratit për Administratë, është konfirmuar keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga ana e ministrit Izet Mexhiti dhe kabinetit të tij. 

Por pyetja që mbetet pa përgjigje është: Çfarë roli ka shefi i kabinetit të Mexhitit në këtë aferë?

Burime të besueshme nga brenda Ministrisë së Mjedisit raportojnë se shefi i kabinetit të Mexhitit ka qenë figura kyçe në skemën e kushtëzimeve dhe ryshfeteve, duke ushtruar presion ndaj kompanive dhe qytetarëve për çdo shërbim administrativ. 

Nga licencat dhe lejet mjedisore deri te procedurat e zakonshme burokratike, asgjë nuk kalonte pa miratimin e tij dhe skemave korruptive të drejtuara nga kabineti i Mexhitit.

Të njëjtët individë kanë qenë të përfshirë në skema të ngjashme korruptive edhe në Komunën e Çairit, duke e shndërruar atë në një makth urbanistik për qytetarët. 

Përmes lejeve të dhëna në mënyrë korruptive, ata kanë degraduar hapësirën urbane dhe kanë shkatërruar cilësinë e jetës në këtë zonë.

BDI kërkon nga institucionet hetimore që të zgjerojnë hetimet jo vetëm ndaj Mexhitit, por edhe ndaj personave kyç në kabinetin e tij, përfshirë shefin e tij të kabinetit, i cili për muaj me radhë ka drejtuar një sistem të mirëorganizuar të shantazhit dhe korrupsionit brenda Ministrisë së Mjedisit.

Kjo qeveri po fundoset çdo ditë e më shumë në skandale, duke dëshmuar paaftësinë dhe korrupsionin e saj të hapur. 

BDI do të vazhdojë të denoncojë çdo rast të keqpërdorimit të pushtetit dhe të kërkojë përgjegjësi nga të gjithë ata që shkelin besimin e qytetarëve”, thotë BDI.