Gazetar: Zekirija Haxhiu

Tre orë nuk mjaftuan që në takimin e djeshëm të liderëve të hapen të gjitha çështjet që partitë politike kanë dashur ti shtrojnë për t’i diskutuar. Më i pakënaquri mbeti kreu i integristëve Ali Ahmeti, i cili paralajmëroi se do të realizojë edhe një takim tjetër tet-a-tet me kryeministrin Hristijan Mickoski. Në fakt ka shumë gjëra për të cilat duhet të bisedohet mes Qeverisë dhe BDI-së, marrë parasysh se në Kuvend shumica parlamentare nuk e ka badenterin dhe për ligjet sistemore i nevojitet dhe BDI-ja, respektivisht Fronti Evropian.

Nga BDI njoftuan se në takimin eventual mes dy liderëve, do të diskutohen të gjitha çështjet me interes thelbësor për qytetarët e vendit.

“Do të flitet për të gjitha temat që janë në interes jetik për vendin dhe qytetarët, çështjet të cilat i kemi adresuar dhe vazhdojmë t’i adresojmë e që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit”, thonë nga BDI.

Ajo për të cilat BDI dhe Fronti Evropian kanë ngritur zërin deri tani kryesisht kanë qenë shfuqizimi i balancuesit dhe mungesa e një mekanizmi mbrojtës etnik gjatë punësimeve, për shfuqizimin eventual të ligjit të gjuhëve për çka madje vendosën dhe tenda para Gjykatës Kushtetuese. Kanë kontestuar gjithashtu edhe ligjin për vetëqeverisje lokale përmes së cilës diaspora llogaritej si jorezidente dhe përjashtohej nga procesi zgjedhor. Kontestojnë edhe kandidatin për Avokatin e Popullit të propozuar nga VLEN.

Nga Qeveria nuk konfirmojnë nëse kryeministri do të pranojë Ahmetin në takim të posaçëm kokë më kokë por thjeshtë thonë se kryeministri realizon takime me aktorë të ndryshëm politik.

“Ju njoftojmë se kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në korniza të aktiviteteve të tij realizon komunikim dhe takime me aktorë relevant politikë në shtet”, thonë nga Qeveria.

Gjatë këtij takimi nuk përjashtohet mundësia që të diskutohet edhe për zgjedhje të parakohshme për të cilat kryeministri për momentin nuk është kundër. Ngelet të shihet nëse partitë politike në Kuvend do të arrijnë marrëveshje edhe për kodin e ri zgjedhor për të cilin nevojitet shumicë e badenterit e i cili ishte esencial në zgjedhjet e fundit lokale./ Alsat.mk

The post BDI pa detaje për temat e takimit të mundshëm Ahmeti–Mickoski appeared first on Alsat.