BDI-ja edhe sot ka përsëritur nevojën për realizimin e vetingut për funksionarët, duke nënvizuar që kanë kaluar tre ditë dhe asnjë parti e as qeveria ende nuk ka dorëzuar kërkesë te faktori ndërkombëtar, shkruan Alsat.

Sipas partisë me të cilën udhëheqë Ali Ahmeti, çdo ditë që kalon pa veting, është një humbje e madhe për demokracinë dhe integritetin e vendit.

“Është e qartë se çdo vonesë në këtë proces vetëm do të forcojë dyshimet e qytetarëve për përkushtimin e vërtetë ndaj luftës kundër korrupsionit. Ne kërkojmë menjëherë të nisë një veting i monitoruar ndërkombëtarisht për çdo politikan në tridhjetë vitet e fundit”, thonë nga BDI.

Ndaj deklaratës së BDI-së ka reaguar VMRO-DPMNE-ja duke theksuar se me këto manovra po mundohen ta fshehin krimin. Siç tha deputetja Marija Miteva, askush më nuk i beson BDI-së në qëllimet për veting.

“Përsërisim se kjo është manovër e BDI-së dhe LSDM-së që të munden çdo procedurë që do të hapej kundër ndonjë anëtarit të udhëheqësisë së tyre ta paraqesin si përballje partiake dhe të bindin njerëz, simpatizantët e tyre të protestojnë se gjoja ata janë në represion. Për atë, në vend të lojërave të këtilla për fëmijë, të cilat u kanë kaluar te shërbyesit e tyre të LSDM-së, ne themi se ky shtet ka ligje për gjithçka. Për veting, për prejardhje të pronës, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për larje parash dhe tregtim me ndikim dhe për gjithçka që në një shtet demokratik duhet të ketë ligje”, tha Marija Miteva, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Ndryshe, çështja e vetingut ka qenë edhe temë diskutimi i mbledhjes së djeshme të kryesisë qendrore të BDI-së. Vetingu, riaktualizohet në kohën kur qeveria e re ka paralajmëruar se do të dorëzojë padi për shkeljet ligjore që kanë gjetur nëpër institucione nga pushteti i BDI-së dhe LSDM-së.

Nga ana tjetër, BDI vazhdon të kontestojë përfshirjen e VLEN-it në qeveri duke vazhduar me pretendimin se ata janë përfaqësues legjitim te kampi politik shqiptar dhe për këtë ka paralajmëruar dhe protesta.

Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski, disa ditë me radhë ka paralajmëruar se BDI po planifikon ta destabilizojë shtetin gjatë muajit të vjeshtës. / Alsat.mk