Kryesia e BDI-së mbajti mbledhje në selinë e partisë në Reçicë të Vogël. “Ne jemi këtu dhe gati” kanë shkruar ata në fotografinë e përbashkët që publikuan pas mbledhjes, ndërsa pas asaj, në rrejtet sociale vërshoi një fotografi tjetër, përmes se ciles pyesin se “a jeni gati”?
Pyetëm zv.kryeministrin e parë Izet Mexhitin, nëse ata janë gati për paralajmërimet e BDI-së.

“Derisa shkojnë me mendjen e z.Grubi, nuk i kanë punët mirë”, tha zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.

Nga ana tjetër deputeti i LSDM-së Oliver Spasovski, thotë se ekziston një koalicion i fshehtë mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Këto qëndrime i bazon në bashkëpunimet mes dy partive për miratimin e dy ligjeve të ndryshme, atë për organizimin e organeve të Qeverisë, si dhe ligjit për vetqeverisje lokale, e për të cilat, nevojiteshin së paku 80 vota në Kuvend. Nuk habitet nëse BDI do të bëhej pjesë e Qeverisë.

“Koalicioni VMRO-DPMNE dhe BDI ka marrëdhënie seriozisht të mira. Dhe nuk do të habitesha dhe pres që në periudhën në vijim, BDI do të ishte sigurisht pjesë e Qeverisë”, deklaroi Oliver Spasovski – deputet i LSDM-së.
Nuk vonoi përgjigja e VMRO-DPMNE-së. I thonë Spasovskit të mos brengoset, sepse nuk u’a marrin BDInë.

“Të mos brengoset Spasovski dhe LSD, BDI-në nuk ua marrim. Bashkë nga opozita do të shohin se si Maqedonia ecën përpara. LSDM nuk di më se çfarë bën, sepse rejtingu po u shkrihet si akull në temperaturë +40gradë. Tani janë më të dobët se sa që ishin në zgjedhjet e fundit”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Përndryshe siç ka deklaruar kreu i Aleancës për Shqiptarët, pjesë e Frontit Europian, Ziadin Sela në një intervistë për Fokus, ai pret që bashkë me zgjedhjet lokale vitin e ardhshëm të organizohen dhe zgjedhje parlamentare. Madje sipas tij, këto do të inicoheshin nga vet VMRO-DPMNE-ja.