-Të gjithë ata që dje kanë gënjyer dhe manipuluar para opinionit kanë 24 orë kohë t’i kërkojnë falje BDI-së, në të kundërtën do të ndërmarrim të gjitha masat juridike, tha sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, në lidhje me akuzat e partive në pushtet, se qeveria LSDM-BDI ka urdhëruar kontaktet me Alta Bankën, përcjell TV21. Ademi tha se qeveria LSD-BDI ka mbrojtur interesat e shtetit tonë, kundrejt Alta Bankës në Serbi.

“Informacioni i Fatmir Besimit dhe i Qeverisë së vitit 2023 ka qenë për ta mbrojtur shtetin dhe aksionet e shtetit, sepse shteti, pas rrënimit të Jugosllavisë, ka pasur aksione në bazë të sukcesionit në një bankë në Beograd. Alta Banka, pa e pyetur Maqedoninë, i ka blerë ato aksione. Qeveria e VMRO-së e vitit 2023, ku kanë qenë BDI dhe LSDM, ka kërkuar nga Avokati i Shtetit ta mbrojë interesin e shtetit kundrejt Alta Bankës. Vendimet e Qeverisë së vitit 2023 kanë qenë kundër Alta Bankës, ndërsa këta dëshirojnë ta paraqesin sikur ne paskemi hyrë në marrëdhënie të caktuara. Sa për dijeninë tënde dhe të gjithë të tjerëve, Fatmir Besimi dje ka pasur vdekje dhe varrim të axhës së tij. Prandaj nuk ka mundur t’u përgjigjet gazetarëve dhe besoj se duhet të keni mirëkuptim për tragjeditë dhe momentet pikëlluese familjare të secilit individ”, tha Ademi.