Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski, pasi ai, sipas partisë, e cilësoi arsimin e lartë në gjuhën shqipe si një “implant”. BDI e akuzoi kryeministrin se po përdor interpretime të pabazuara të Kushtetutës dhe ligjeve për të justifikuar përjashtimin e gjuhës shqipe.
Në reagimin e saj, BDI thotë se Kushtetuta nuk përmban asnjë dispozitë që e ndalon arsimin e lartë në shqip dhe se kjo e drejtë garantohet nga legjislacioni në fuqi. Sipas partisë, deklaratat e Mickoskit krijojnë pasiguri juridike dhe nxisin tensione ndëretnike.
BDI përmendi gjithashtu shfuqizimin e Balancuesit dhe të emërtimeve të rrugëve e shesheve në Tetovë, si dhe nismat kundër Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Partia akuzoi Qeverinë se, duke mos e përfshirë diasporën në përllogaritje, ka ulur numrin e këshilltarëve në disa komuna me shumicë shqiptare.
Në fund, BDI i bëri thirrje Mickoskit të heqë dorë nga ajo që e quajti “retorikë përjashtuese”. Nga VLEN-i kërkoi të distancohet publikisht nga këto politika dhe të largohet nga Qeveria, duke thënë se, në të kundërt, do ta konsiderojë bashkëpërgjegjës për to.
