Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj kumtesës së VLEN-it, duke thënë se koalicioni nuk u është përgjigjur argumenteve juridike të paraqitura në letrën e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale shtetërore.
Sipas BDI-së, VLEN-i nuk ka cituar asnjë dispozitë ligjore që do të kundërshtonte qëndrimin e Ahmetit. Partia e cilëson kumtesën si sulm politik dhe pretendon se ajo duket se është përgatitur në selinë e VMRO-DPMNE-së.
BDI-ja gjithashtu thotë se VLEN-i nuk është shprehur për konstatimet e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, të cilat, sipas saj, përputhen me argumentet e Ahmetit. Partia mban qëndrimin se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve duhet të zbatohet edhe në provimet profesionale shtetërore.
Në reagim, BDI-ja akuzon VLEN-in se para ardhjes në pushtet e paraqiste shqipen si gjuhë zyrtare, ndërsa tani po e relativizon statusin e saj. Partia kërkon që të drejtat gjuhësore të garantohen përmes zbatimit të ligjit.
