Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se zgjedhjet lokale nuk janë vetëm për komunat, por për orientimin strategjik të shtetit. Sipas BDI-së, raporti i fundit i Parlamentit Evropian konfirmon rrezikun në rritje nga ndikimet destabilizuese të Serbisë dhe Rusisë, pjesë e projektit “Bota Serbe”.
“Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se zgjedhjet e ardhshme lokale nuk janë thjesht një garë për qeverisjen komunale, ato janë një referendum politik për të ardhmen strategjike të vendit dhe për orientimin e tij drejt familjes evropiane. Sot, më shumë se kurrë, është e qartë se beteja për komunat është betejë për shtetin. Raporti më i fundit i miratuar nga Parlamenti Evropian, me shumicën dërrmuese prej 461 eurodeputetësh nga të gjitha grupimet politike, e konfirmon zyrtarisht se Maqedonia e Veriut po ekspozohet gjithnjë e më tepër ndaj ndikimeve destabilizuese të Serbisë dhe Rusisë, pjesë e projektit gjeopolitik të ashtuquajtur “Bota Serbe”. Ky është një alarm serioz për të gjithë qytetarët që besojnë në vlerat euroatlantike dhe në të ardhmen demokratike të shtetit”, thonë mes tjerash nga BDI.
