Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian pritet të hartojë një listë me kushte që do t’i paraqiten Rusisë në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

Duke folur para gazetarëve në Bruksel, Kallas theksoi se është thelbësore që vendet evropiane të jenë të bashkuara dhe të kenë një qëndrim të përbashkët në këtë proces.

Ajo nënvizoi se për të pasur një marrëveshje të qëndrueshme paqeje, të gjithë aktorët e përfshirë, përfshirë Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, duhet ta kuptojnë rëndësinë e unitetit evropian.

Sipas Kallas, edhe Bashkimi Evropian ka kushtet e veta, të cilat duhet t’i drejtojë Moskës.

“Ne kemi gjithashtu kushtet tona dhe ato duhet t’ua vendosim rusëve, jo ukrainasve, të cilët tashmë po përballen me një presion të jashtëzakonshëm”, deklaroi ajo.