Bashkimi Evropian do të vazhdojë të ofrojë ndihmë të konsiderueshme financiare dhe ushtarake për Ukrainën, ndërsa Komisioni Evropian po përgatit pakon e 22-të të sanksioneve kundër Rusisë. Njëkohësisht, BE-ja do të dërgojë 500 gjeneratorë elektrikë për të ndihmuar ukrainasit të përballojnë dimrin.

Kështu bëhet e ditur në një deklaratë të përbashkët të presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Të dy zyrtarët sot në Dublin, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, u takuan me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Në deklaratë theksohet se BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën në përpjekjet për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, e cila do të garantojë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, si dhe sigurinë e kontinentit evropian.

Në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian, që do të mbahet më 26 dhe 27 nëntor, do të shqyrtohen nevojat urgjente financiare të Ukrainës për vitin 2027, bazuar në propozimin e Komisionit Evropian.

“Ukraina duhet të negociojë nga një pozitë fuqie, ndërsa Rusia duhet të bindet se duhet të ulet në tryezën e negociatave me qëllim të sinqertë për arritjen e paqes”, theksuan Costa dhe von der Leyen.