Presidenti, Bajram Begaj gjatë fjalës së tij nga Kuvendi i Kosovës ka deklaruar se ky shtet tashmë ka mbushur 18 vite dhe se është futur në moshën e pjekurisë. Ai ndër të tjera tha se Kosova tashmë është një realitet i pakthyeshëm.
“Kjo është mosha e pjekurisë. Ky përvjetor është dëshmia se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran. Kosova është një shtet i ri në vite, por rrënjë të thella sakrificash, kontributesh e meritash”, tha Begaj.
Presidenti më tej përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së, të cilët po përballen me gjyqin në Hagë. Begaj tha se ata po përballen me padrejtësi në Gjykatën Speciale. Sipas tij historia e Kosovës nuk mund të kuptohet pa emrat e ish-krerëve të UÇK-së.
“Në këtë përvjetor, mendimi ynë është me ata që po përballen me një betejë të vështirë, të padrejtë e vendimtare në Hagë. Historia e Kosovës s’mund të kuptohet pa emrat e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit. Ata po përballen me akuza të montuara në gjykatë ndërkombëtare.
Ata që morën armët për të kërkuar lirinë për tokën e tyre e familjen e tyre, janë e do të mbeten gjithmonë simbole të lirisë. E vërteta s’mund të tjetërsohet e as të ndryshohet. Liria ka emër, liria meriton drejtësi, meriton mirënjohje. Republika e Shqipërisë është me UÇK-në”, ka thënë Begaj.
The post Begaj nga Kuvendi i Kosovës: Liria ka emër dhe meriton drejtësi! Shqipëria është me UÇK-në appeared first on Alsat.
