
Bekim Pocesta, anëtar i Kryesisë Qendrore të Aleancës për Shqiptarët, ka kritikuar ashpër qeverisjen e koalicionit VLEN, duke e cilësuar periudhën 22-mujore si të mbushur me premtime të parealizuara dhe mungesë të rezultateve konkrete.
Sipas tij, gati dy vite pas hyrjes në pushtet, bilanci politik është i qartë: shumë bujë dhe shumë pak veprime reale. Ai theksoi se në dy nga çështjet kryesore – eurointegrimi dhe gjuha shqipe – situata është përkeqësuar ndjeshëm.
“Rruga drejt Bashkimit Evropian është zhytur në pritje pa afat, ndërsa të drejtat gjuhësore janë degraduar deri në atë pikë sa qytetarët po detyrohen t’i kërkojnë në rrugë”, u shpreh Pocesta.
Ai shtoi se çdo vonesë po i kushton shtrenjtë vendit, duke e akuzuar qeverinë për normalizim të bllokadës politike. Sipas tij, qëndrimet për mosndryshimin e Kushtetutës dhe pranimin e një pritjeje të gjatë e mbajnë vendin në vendnumëro, ndërsa partnerët shqiptarë në qeveri po përpiqen ta justifikojnë këtë situatë.
Në reagimin e tij, Pocesta ngriti shqetësim edhe për trajtimin e gjuhës shqipe, duke theksuar se ajo dhe dinjiteti i saj institucional po neglizhohen, madje deri në mosrespektim të detyrimeve kushtetuese.
Në përfundim, ai vlerësoi se 22 muaj qeverisje nuk kanë sjellë ndryshimin e premtuar, por vetëm “zhurmën e tij”, duke shtuar se propaganda ka ecur më shpejt se vendimmarrja dhe se qytetarët po përballen me zhgënjim të vazhdueshëm.
