Me vendim të Komisionit Rregullator për Energjetikë, benzina u lirua, dizeli mbeti me të njëjtin çmim, vaji ekstra i lehtë pak u shtrenjtua ndërsa mazuti u lirua. Benzina BS-95 u ul për 2.5 denarë për litër, BS-98 për 3 denarë, ndërsa dizeli mbeti i pandryshuar.
ÇMIMET E REJA TË DERIVATEVE TË NAFTËS
Benzinë motorike EUROSUPER 95 – 84.00 denarë/litër
Benzinë motorike EUROSUPER BS-E5 – 85.50 denarë/litër
Dizel EURODIZEL BS (D-E V) – 95.50 denarë/litër
Vaj për ngrohje Ekstra i lehtë 1 (EL-1) – 92.50 denarë/litër
Mazut M-1 NS – 50.410 denarë/kilogram
Kjo ndodh pasi çmimet referente të derivateve të naftës në tregun botëror shënuan rënie tek benzina, ndërsa rritje tek dizeli. Megjithatë, sot çmimi global arriti në 116 dollarë për fuçi, pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump për një ndërhyrje të mundshme të kufizuar tokësore në Iran.
“Të jem i sinqertë me ju, opsioni im i preferuar është ta marrim naftën në Iran, por disa njerëz budallenj në SHBA thonë: ‘Pse e bëni këtë?’
Por ata janë njerëz budallenj.”
“Ndoshta do ta marrim ishullin Kharg, ndoshta jo. Kemi shumë opsione”, tha Trump.
Nëse kjo ndodh, do të thotë përshkallëzim i mëtejshëm i krizës që nisi më 28 shkurt me sulmin e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Sipas profesorit universitar Marjan Petreski, deri tani kriza nuk ishte reflektuar drejtpërdrejt në ekonominë e Maqedonisë.
Por, ndryshe nga një apo dy javë më parë, tani rreziku nuk është vetëm në çmime, por po bëhet gjithnjë më real dhe i pranishëm në pritjet ekonomike, jo vetëm te derivatet, por edhe te kostot e transportit dhe reagimi i tregjeve financiare.
Petreski vlerëson se, edhe pse hapësira fiskale është e kufizuar për shkak të borxhit publik, qeveria mund të ndërmarrë masa, por jo ndërhyrje ad-hoc dhe të kushtueshme. Masat duhet të jenë të targetuara dhe jo universale.
“Një shembull i një mase të targetuar është, të themi, ndarja e vauçerëve për furnizim me derivate të naftës, ose vauçerëve për mbulimin e konsumit të energjentëve të tjerë, apo vauçerëve për blerje ushqimi për pjesë të popullsisë që jetojnë nën kufirin e varfërisë ose në një segment të cenueshëm – jo domosdoshmërisht nën kufirin e varfërisë, por diku rreth atij niveli. Sepse zakonisht, për këto familje, pjesëmarrja e këtyre shpenzimeve në shportën e tyre të përgjithshme të konsumit është shumë e madhe dhe për këtë arsye ato do ta ndjenin më së shumti goditjen nga kriza”, deklaroi Marjan Petreski.
Petreski shton se duhet të ndiqen rreziqet e jashtme për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, në koordinim të ngushtë mes politikës monetare dhe asaj fiskale. Sipas tij, ulja e TVSH-së për derivatet e naftës është një masë e përshtatshme në këto kushte.
